Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje, pas humbjes së mbështetjes në Parlament nga ana e Partisë Socialdemokrate (SDP) dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) për Qeverinë e tij.
Më 20 korrik, këto parti kanë përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqje, gjatë fjalimit të Abazoviqit në Kuvend.
Zëvendëspresidenti i DPS-së, Jevto Erakoviq, ka thënë se ata patën mbështetur një qeveri të pakicës, ashtu që Mali i Zi të drejtohet kah Bashkimi Evropian, por ka shtuar se “kjo nuk është ajo rrugë, por një greminë”, andaj i ka bërë thirrje Abazoviqit që të japë dorëheqje.
“Nuk do të jap dorëheqje derisa të vendosë parlamenti”, i është kundërpërgjigjur Abazoviq.
Arsyeja e mosmbështetjes është vendimi i Qeverisë për të miratuar tekstin e Marrëveshjes Themelore, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd, diçka që këto parti kundërshtojnë.
Ndonëse Qeveria ka miratuar këtë dokument më 8 korrik, pas diskutimeve të Abazoviqit me presidentin e shtetit, Millo Gjukanoviq, është arritur pajtueshmëri më 19 korrik që para nënshkrimit të konsultohet opinioni i ekspertëve dhe të kontrollohet baza ligjore.
Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik – që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes – të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviqit.
Qeveria malazeze e ka miratuar Marrëveshjen Themelore vetëm dhjetë ditë pas takimit të Abazoviqit me Patriarkun Porfirije në Serbi, i cili ka theksuar se “është arritur marrëveshje e plotë me Qeverinë për tekstin e Marrëveshjes Themelore”.
Abazoviq – Qeverinë e të cilit e mbështesin partnerët perëndimorë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nuk ka marrë mbështetje të qartë nga Brukseli dhe Uashingtoni për miratimin e Marrëveshjes Themelore.
Më 11 korrik, Qendra për Edukim Qytetar ka prezantuar një sondazh të opinionit publik, i cili ka nxjerrë në pah se vetëm 11 për qind e qytetarëve kanë qenë të interesuar për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë./rel
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...