Të jesh evropian me sjelljet tua!

21:53 | 9 Maj 2022 | Alban Begolli

Shkruan: Alban Begolli

Kur përmendet BE-ja, gjëja e parë që të vjen ndërmend është, radhitja e shtetit tonë afër këtyre shteteve të zhvilluara dhe plotë perspektivë.

Por anëtarësimi i Kosovës që aktualisht nuk ka as liberalizim të vizave madje as pesë shtete të BE-së nuk e njohin edhe pas 14 viteve pavarësi, momentalisht del të jetë një opsion i largët.

Gjithnjë e më shumë jemi duke punuar sa më shumë në mënyrë që këto shtete të ndritura të na pranojnë në mesin e tyre, ndërkaq në prapaskenë po i mendojmë përfitimet që na sjellë emërtimi “evropian”.

Ndërsa nëse mund ta ndryshojmë këtë pikëpamje duke shtrirë në afat të gjatë dhe të mendojmë se si mund të jetë një BE me Kosovën brenda saj atëherë mund të jemi më të suksesshëm.

Përtej emërtimit “evropian”, duhet të punojmë për një Kosovë të zhvilluar e konkurrente në mënyrë që të përceptohemi si një shtet që mund të bëhet vlerë për Bashkimin Evropian. Të bëhesh evropian, nuk do to thotë të veshësh marka evropiane, të ushqehesh me ushqime e të dëgjosh muzikën e tyre, por të bëhesh vlerë për Evropën me kulturën, zhvillimin, traditën dhe konkurrencën tënde.

Një pikëpamje dhe fokus i tillë mund ta bëjë Kosovën një shtetet që përveç se synon t’i arrijë standardet aktuale, po ashtu sjellë praktika që mund të jenë shembull edhe për BE-në. Duke dalë nga lista e shteteve që përveçse mbrojnë dhe konsumojnë sistemin aktual dhe hyrja në listën e shteteve që mund t’i sjellin diçka të re BE-së që përpiqet ta zhvillojë forcën e konkurrencës së saj karshi botës, do të rrisë rëndësinë e integrimit të Kosovës që përqafon një kulturë të thellë e rini të ndritur.

Për ta rritur konkurrencën e saj karshi botës, BE-ja vazhdimisht është duke punuar t’i zhvillojë kapacitetet e saj të inovacionit dhe krijimtarisë, aksesin në fuqinë punëtore të kualifikuar, burimet energjetike, të ofrojë mundësi kujdesi për të moshuarit, të përshpejtojë mekanizmat e vendimmarrjes dhe të krijojë një kulturë sipërmarrëse. Çdo përparim që BE-ja do të bëjë në këto çështje do të japë në fakt rezultate edhe më efektive duke mbështetur zhvillimin e potencialit në Kosovë.

Prandaj, Kosova do të jetë më e suksesshme duke u fokusuar në prodhimin e zgjidhjeve që do të përmirësojnë konkurrencën e BE-së. Kjo qasje e shtetit tonë në përputhje me objektivin kryesor të BE-së, do të lehtësojë pranimin e Kosovës si një partner real që krijon vlera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara