Si dhe pse u bëmë për të na përqeshur Vuçiqi e Rama?

14:02 | 22 Shtator 2021 | Shkruan: Kim Mehmeti

Para pak kohësh, Vuçiqi patë deklaruar se ai e Piktori shpesh i telefonojnë njëri tjetrit dhe kryesisht tallen me ne që e kritikojmë Ballkanin e tyre të ‘hapur’. Që në njëfarë mënyre i bie se ata zbaviten duke i përqeshur shqiptarët.

Shkruan: Kim Mehmeti

Presidenti serb nuk ka thënë asgjë që ne nuk e dimë: jo tani, por edhe në të shkuarën, Beogradi na ka përqeshur e tallur deri në ato përmasa sa na i ka përcaktuar edhe heronjtë e tradhtarët. Siç na i ka përcaktuar edhe shumë nga burrështetasit që e kanë drejtuar mëmëdheun tonë.

Por tallja e Beogradit me shqiptarët kurrë nuk i ka arritur përmasat e sotme, kur Piktori në sy të gjithë shqiptarisë ndërton karrierë politike duke u vëllazëruar me Vuçiqin, e duke u armiqësuar me burrështetasit e Kosovës si dhe, kur patriotizmi dhe atdhedashuria shqiptare sa nuk janë shpallur si diçka primitive që na largojnë nga pjesa e civilizuar e botës?!

Dhe Vuçiqi nuk e ka të vështirë ta pranojë publikisht se shpesh i telefonon Piktorit dhe se, ata dy qeshin e tallen me ne që ua kritikomë ‘Ballkanin e hapur’, sepse ai i mbetet besnik asaj që shteti kishtar ortodokso-serb pret dhe e kërkon nga ai. Për dallim nga disa burrështetas tanë që ngjiten shkallëve të strategut rajonal, por duke shkelur mbi interesat e popullit të vet.

Dhe ku ta dish, mbase edhe sot, kur kryeministri i Kosovës mundohet të korrigjojë diçka nga ajo që rrënuan paraardhësit e tij, mbase edhe sot kur Kryeministri i Kosovës tregon si duket burrështetasi i pakorruptuar dhe që mbron shtet e popull, pra mbase edhe sot kur Prishtina zyrtare e shpalosë dukjen e vërtet të ‘Ballkanit të hapur’, Vuçiqi dhe Piktori i telefonojnë njëri tjetrit dhe qeshin e  tallen me veprimet e Kurtit, duke e shpallur atë viktimë të ‘paranojave’  konspirative’!?

Po pse, mos vallë dikush mund të besojë se strategu i madh rajonal e botërori, Piktori do merret me vogëlsira dhe do i telefonojë vëllait të vet Vuçiqit që ta mbrojë Kosovën, apo që t’ia thotë përafërsisht ato ofendime që ua thotë burrështetasve kosovarë, si për shembull, t’i propozojë ta mbyllë atë gojë që prodhon luftëra, gojë nga e cila ka rrjedhur aq shumë urrejtje ndaj shqiptarëve, apo edhe t’ia rikujtojë se edhe kur jetojnë në më shumë shtete të Ballkanit, nëse rrezikohen, shqiptarët do veprojnë si një popull i vetëm!

Jo, mos pritni nga Piktori të pamundurën. Ai do vazhdojë të na luftojë gjithë neve që jemi kundër ‘Ballkanit të Hapur’, por kurrë jo edhe idetë e Vuçiqit, sepse ai e dinë se nëse i kundërvihet vëllait të vet serb, e rrezikon karrierën e vetë të strategut rajonal, e duke u tallur me ne shqiptarët, ai e siguron edhe mandatin e katërt. Pra ai e dinë se u bëmë popull që nuk i rritë fëmijët duke u kënduar ninulla për dashurinë ndaj popullit të vet dhe vendit ku ka lindur, por për rrugët që e çojnë drejt shtetit ku duhet ikur!

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara