Paradoksi i “epokës Merkel” në Ballkanin Perëndimor

09:39 | 15 Shtator 2021

Asokohe mbizotëronte frika se Procesi i Berlinit mund të shërbente si zëvendësues i procesit të anëtarësimit në BE. Gjermania nga njëra anë dhe vendet e rajonit nga ana tjetër këmbëngulnin që për rajonin nuk ka alternativë tjetër përveçse anëtarësimit në BE. Duhet pranuar se Procesi i Berlinit ndryshoi disi rutinën e formatit të zgjerimit dhe vendosi theksin tek bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës me nënshkrimin e deklaratës për adresimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve të përfundimit të shtetësisë; me krijimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor bazuar mbi modelin franko-gjerman; Sekretariatit të Dhomave të Tregtisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; dhe Zonës Ekonomike Rajonale, duke nxitur kështu marrëdhëniet ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqëror.

Në të njëjtën kohë, Procesi i Berlinit miratoi edhe agjendën e ndërlidhjes rajonale mes vetë vendeve të rajonit dhe me ato BE-së, me qëllim zbutjen e hendekut zhvillimor mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Përmes këtij procesi, Ballkani Perëndimor u vendos në hartën europiane të transportit dhe energjisë, ndonësë ende pa projekte të prekshme për qytetarët e rajonit dhe pa ndërlidhje me fqinjët pjesë e BE-së.

Po kështu, në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian të 2018-ës, e cila u mbështet nga drejtuesit e vendeve Anëtare të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofias, u përvijuan 6 nisma të tilla si: transporti, ndërlidhja energjetike, agjenda digjitale, zhvillimi ekonomik e shoqëror, sundimi i së drejtës e siguria, dhe migracioni, më qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Mirëpo shtatë vjet pas prezantimit të kësaj nisme mund të thuhet se ajo është larg pritshmërive fillestare, ashtu sikundër procesi i anëtarësimit në BE. Së pari, procesi nuk ka arritur të zbusë mosmarrëveshjet dypalëshe apo çështjet e përfundimit të shtetësisë, të cilat pengojnë potencialin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më të thelluar, çka do të përkthehej në më shumë mirëqënie dhe rritje ekonomike. Në të kundërt, në rajon u shfaqën prirje e tentativa për t’iu kthyer ideve të vjetra që i jepnin përparësi territoreve përkundrejt njerëzve, revizionimit të historisë, mohimit të gjenocidit dhe krimeve barbare të luftës, njehsimit të fesë me kombin si instrument përçarës e sundues përkundrejt fqinjëve. Në zmbrapsjen e këtyre tentativave, roli i Kancerales dhe Gjermanisë është i pazëvendësueshëm.

Së dyti, procesi nuk ka arritur të mobilizojë burimet e domosdoshme financiare për të adresuar hendekun ekzistues ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që kanë impakt të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen rajonale. Për shembull, për ciklin buxhetor 2021-2027, i cili reflektohet në Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, vendet Anëtare të BE-së që rrethojnë rajonin tonë përfitojnë 11 herë më shumë fonde për frymë sesa vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rrit pesimizmin tek qytetarët e rajonit, dhe shpie në humbjen e besimit për ndërtimin e një perspektive zhvillimore. Le ta themi troç, qytetarët nuk mund të ushqehen me kapituj, procedura burokratike të panumërta apo konferenca ndërqeveritare. Ato kanë nevojë të përqafojnë konkretisht zhvillimin e të bëhen kësisoj aktorë të transformimit rrënjësor të shoqërive tona.

Së treti, procesi nuk ka ofruar instrumente që përmirësojnë sistemin e qeverisjes, bazuar në sundimin e së drejtës, e as pronësinë ndaj reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e qartë se shoqëritë tona mbeten në thelb shoqëri me institucione të brishta, jo funksionale dhe ku beteja kryesore nuk është aq shumë me influencën e aktorëve të tretë sesa me metastazat e krimit të organizuar e korrupsionit që gërryejnë themelet e shoqërisë dhe rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Së katërti, megjithëse një platformë ndërqeveritare, Procesit të Berlinit i mungojnë institucionet dhe një buxhet i mirëpërcaktuar në funksion të përmbushjes së angazhimeve çka do të zvogëlonte varësinë e disa prej vendeve të rajonit ndaj aktorëve të tretë, të cilët synojnë status quo-n.

Së pesti, “menuja” e procesit ka humbur disi fokusin fillestar të tij, duke mos arritur të adresojë tre sfida themelore më të cilat përballën vendet e rajonit: (i) demokracia; (ii) zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik; (iii) kërcënimi demografik.

Ky është paradoksi i “epokës Merkel” në rajon. Prezencë dhe kuptueshmëri të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër europian, por rezultate të pamjaftueshme, pasi integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte një hap drejt arritjes së finalitetit të BE–së, duke nënkuptuar konsolidimin e projektit të integrimit europian, në një hapësirë konkrete politike me një kufi të përcaktuar në rang kontinental.

Sipas vrojtimit të fundit të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), shumica e qytetarëve europian besojnë tek Gjermania dhe kërkojnë një rol më të madh të saj në BE. Vrojtimet e kryera në vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmojnë gjithashtu besimin e qytetarëve tek Gjermania dhe pritshmëritë për një angazhim më të madh të saj.

Tema e angazhimit më të madh të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare është një temë gjithnjë e pranishme në qendrat kërkimore dhe institucionet vendimmarrëse. Në vitet 2012-2013 në Gjermani u zbatua një projekt nga Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë, me pjesëmarrjen e një rrjeti të gjerë ekspertësh, në lidhje me elementët strategjik të politikës së jashtme gjermane. Analiza strategjike tregonte se “fuqia gjermane imponon një ripërcaktim të pozitës gjermane në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe se “Gjermania, fuqinë dhe begatinë që disponon ia detyron mbi të gjitha ekspansionit global ekonomik, ndaj duhet të veprojë në mënyrë aktive në nivel global”.

Kësaj teze i mëshon edhe një prej ministrave të jashtëm më energjik Joschka Fischer, i cili interesat politike dhe ekonomike të Gjermanisë i konsideron të ndërlidhura me një BE të fortë dhe të suksesshme. Sipas tij, Gjermania duhet t’i tejkalojë traumat e së kaluarës dhe fuqinë e saj ta vërë në funksion të krijimit të Europës së fuqishme nën udhëheqjen e saj.

Ndaj, dilema që kërkon përgjigje pas largimit të Angela Merkel-it nga skena politike është nëse për të përmbushur plotësisht rolin e udhëheqësit të Europës, konsolidimin e projektit të integrimit europian dhe fuqizimin e lidhjes transatlantike, Berlinit do t’i duhet të rishikojë ato parime të Merkelizmit që i bënë europianët dhe popujt e rajonit tonë të vendosin me të drejtë shpresat e tyre tek Gjermania.

Shkrimi është marrë nga faqja zyrtare e Ditmir Bushatit

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara