Zyra e Presidencës kërkon përjashtimin e gjyqtarit në rastin ku Driton Gashi po kërkon kthimin në vendin e punës si sekretar i kësaj zyre

17:18 | 23 Janar 2023

Përfaqësuesja e autorizuar e të paditurës së dytë, Zyra e Presidencës së Kosovës, Nexhmije Karaqi, në seancën e së hënës, ka parashtruar kërkesë për përjashtimin e gjykatësit Kreshnik Kaçiu, në rastin ku Driton Gashi, po kërkon kthimin në vendin e punës si sekretar i kësaj zyre.

Kjo kërkesë u bë me arsyetimin se gjykatësi Kaçiu dhe paditësi Gashi kanë qenë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) brenda periudhës së njëjtë, por në pozita të ndryshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmes kësaj padie, Gashi po kërkon nga gjykata që të anulojë vendimin e marrë nga  Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) dhe të detyrojë Zyrën e Presidencës që të njëjtin ta kthejë në vendin e punës si sekretar i Zyrës së Presidentit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit me dhunë.

Ndryshe, në seancën përgatitore më 19 dhjetor 2022, është bërë precizimi i padisë në aspektin subjektiv edhe ndaj Zyrës së Presidencës së Kosovës.

Sipas kërkesës për përjashtim, thuhet se gjykatësi Kaçiu kishte punuar si zyrtar i lartë për legjislacion të BE-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjatë vitit 2013 dhe pastaj kishte mbajtur pozitën e inspektorit në Agjencinë e Regjistrimit Civil në MPB për periudhën 2013-2017, ndërsa në fillimi të vitit 2017, i njëjti filloi të punonte si zyrtar i lartë ekzekutiv në MPB.

Në anën tjetër, paditësi gjatë periudhës 2010-2013 ishte në pozitë të drejtorit të Departamentit për Siguri Publike në të njëjtën Ministri, ndërsa në vitin 2013 ishte emëruar si sekretar i përgjithshëm i MPB-së.

Sipas kërkesës, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm parashihet me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Për të garantuar aplikimin e të njëjtit, kërkojmë nga gjykata përjashtimin e gjyqtarit Kaçiu nga ky gjykim. Njëkohësisht kërkohet ndërprerja e procedimit të mëtejmë”, thuhet në kërkesën e të paditurës së dytë.

Tutje, në kërkesë thuhet se paanshmëria funksionale ndërlidhet me ushtrimin e funksioneve të ndryshme brenda një procesi gjyqësor nga i njëjti person ose me lidhje të natyrës hierarkike apo të ndonjë natyre tjetër, në mes gjyqtarëve dhe akterëve të tjerë ne procesin e caktuar gjyqësor.

Lidhur me këtë propozim, gjykatësi Kaçiu mori aktvendim për ndërprerjen e kësaj seance dhe sipas tij, në lidhje me vazhdimin e mëtejmë apo jo të këtij shqyrtimi gjyqësor, do të vendoset pas shqyrtimit dhe marrjes së vendimit nga ana e kryetares së gjykatës.

Ndryshe, sipas padisë, paditësi Driton Gashi ka punuar si sekretar i Zyrës së Presidentit të Kosovës (Hashim Thaçi), ku më 15 dhjetor 2020, ushtruesja e detyrës së Presidentes (Vjosa Osmani), nxjerr vendim për pezullimin e të njëjtit nga puna.

Kundër këtij vendimi, më 21 dhjetor 2020, paditësi ka parashtruar ankesë në KPMShCK.

Në padi thuhet se më 22 dhjetor 2020, U.D Presidentja shfuqizon vendimin dhe nxjerr vendim tjetër me arsyetimin se ndryshimi ndodhi si rezultat i lëshimeve teknike në preambulën e vendimit nr.234/2020 të nxjerrë më 15 dhjetor 2020, ku përmes pikës dy të këtij vendimi U.D Presidentja inicion procedurën disipilinore ndaj paditësit me dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Tutje sipas padisë, më 16 shkurt 2021 KPMShCK nxjerr vendim me të cilin aprovon ankesën e paditësit dhe e anulon si të kundërligjshëm vendimin për pezullim nga detyra, duke obliguar Presidenten që brenda afatit prej 5 ditësh ta kthejë paditësin në vendin e punës dhe të bëjë kompensimin e pagës nga dita e pezullimit.

Në padi thuhet se më 22 shkurt 2021, Komisioni Disiplinor ad-hoc për nivelin e lartë drejtues nxjerr vendim me të cilin shqipton masën disiplionore- largim nga shërbimi civil.

Kundër këtij vendimi, paditësi thuhet se ushtroi ankesë nga KPMShSCK-së, mirëpo e njëjta refuzohet si e pabazuar, andaj i njëjti ushtron padi në gjykatë për realizimin e të drejtës së tij.

Përmes kësaj padie, paditësi kërkon nga gjykata që të aprovojë në tërësi si të bazuar padinë, të anulojë vendimin e marrë nga KPMSHCK dhe të detyrojë Zyrën e Presidencës që paditësin ta kthejë në vendin e punës si sekretar i Zyrës së Presidentit në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit me dhunë.

Shpërndaje në rrjete sociale