Zgjedhjet e mundshme parlamentare rrezikojnë shumë procese në Kosovë

10:25 | 20 Prill 2018

Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostolova, këtë javë ka tërhequr vërejtjen se nëse Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme do të ketë ngecje në progresin e saj të reformave.

“Është shumë me rëndësi nga aspekti i Kosovës të mendojë edhe njëherë se si do të reflektohet kjo në reforma. Duhet shikuar me kujdes, nëse keni zgjedhje të reja është që do të ketë ngecje në progres. Unë bëj apel ndaj të gjithë atyre që mendojnë të shkojnë në zgjedhje, që të mendojnë vërtet dy herë se si do të ndikojë kjo në rrugën e Kosovës dhe në reforma”, ka thënë Apostolova.

Mbajtja e zgjedhjeve eventuale që është përfolur këto ditë, po shihet si pengesë në procesin e liberalizimit të vizave, që në një formë të caktuar mund të krijojë vonesa të marrjes së vizave, shkruan Indeksonline.

Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku për Indeksonline ka thënë se tendenca për të quar vendin në zgjedhje mund të ndikoj në procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, vonesat në krijimin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet, mund të shkaktojnë pengesa në arritjen e këtij qëllimi.

“Historia e fundit e zgjedhjeve në Kosovë-zgjedhjet nacionale kanë treguar që partitë politike që synojnë të jenë parti parlamentare nuk e kanë atë kapacitet politik sa që pas zgjedhjeve, të bëjnë një formim të shpejtë të institucioneve që dalin pas zgjedhjeve dhe që bartën atë që quhet legjitimitet politik. Domethënë, zgjedhjet e 2014 e dimë nga ajo kohë, Kosovë pati përjetuar një fazë të bllokimit institucional. Po ashtu, zgjedhjet e fundit të vitit 2017, partitë politike nuk e patën kapacitet për t’i krijuar institucionet e dala nga zgjedhjet. Rrjedhimisht zgjedhjet e shpeshta e kanë dëmtuar procesin e asociacionit të Kosovës në Bashkimin Evropian e drejtësi, por edhe në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Mazreku.

Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve dhe mbajtja e tyre është diçka që më së paku i duhet vendit, marrë parasysh edhe vërejtjet e zyrtarëve të lartë të BE-së për ngecje në reforma.

“Në qoftëse flasim për një situatë hipotetike, Kosova të shkoj në zgjedhje ende pa e mbyllur një vit kalendarik, është e pamundshme të themi për këtë kompozicion politik që të arrijë shpejt t’i krijoj institucionet e saj. Pastaj edhe fushata pas elektorale nënkupton bllokim të plotë të pjesës tekniko-kritike të strukturës institucionale që ka të bëjë më përmbushjen e atyre kritereve që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe procesit të asocionit të Kosovës. Është diçka që më se paku ka Kosova siç e kanë thënë edhe zyrtarët e lartë të BE-së. Kosova duhet të fokusohet në të gjeturat e raportit të progresit për Kosovën, e që njëra nga pikat kritike është ndërmarrja e një reforme esenciale e që ka të bëjë me reformën e administratës publike në Kosovë e që ky raport thotë qe ne jemi fazën parafillestare”, ka theksuar Mazreku.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova për Indeksonline ka thënë se mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve ndikon në mbarëvajtjen e reformave.

Mirëpo, sipas tij, as qeveria pa shumicë parlamentare nuk ka fuqi për të bërë reforma.

“Pa dyshim mbajtja e shpeshte e zgjedhjeve, jashtë ciklit të rregullt zgjedhor ndikon në mbarëvajtjen e reformave që kërkojnë vendosmëri politike për tu realizuar. Megjithatë, Kosova nga dy palë zgjedhje të fundit ka nxjerrë qeveri të cilat nuk kanë arritur të qëndrojnë deri në fund të mandatit. Qeveria Mustafa ra për shkak të prolongimit të çështjes së Demarkacionit, ndërkaq Qeveria Haradinaj mund të bie për shkak të mungesës së shumicës parlamentare. Pra, zgjedhjet e shpeshta janë problematike, por edhe qeveri pa shumicë nuk mund të pretendojmë që do të kenë fuqi për të bërë reforma. Ndoshta një mundësi e ndërmjetme do të ishte krijimi i një “qeverie teknike” me mandat për të çuar përpara disa procese reformimi dhe me një afat të përcaktuar kohor (1-2 vite), pastaj të shkohej në zgjedhje. Përndryshe, ne jemi në situatën kur as qeveria e as zgjedhjet nuk po prodhojnë zgjidhje”, ka thënë ai./Indeksonline/

Të ngjashme