Vuçiqi merr çelësin e qytetit të Zveçanit pak para takimit me Kurtin

14:03 | 12 Korrik 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot do të shpallet qytetar nderi i Komunës së Zveçanit në Kosovë. Siç raporton mediumi serb, Tanjug, në ceremoninë e sotme, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do ta pranojë një pllakë dhe çelësin e qytetit të Zveçanit në emër të Vuçiqit, transmeton Express.

Para Vuçiqit, nga kjo komunë e Kosovës kështu u nderuan edhe tenisti serb, Novak Gjokoviq si dhe paraardhësi i Petkoviqit dhe aktualisht ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të qëndrojë për dy ditë në Kosovë. Është paralajmëruar që ai të marrë pjesë në një akademi të organizuar në “Shtëpinë e Kulturës”, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Komunës së Zveçanit.

Ai po ashtu parashihet të zhvillojë takime me disa familje serbe në atë zonë.

Kjo vizitë e Petkoviqit në Kosovë vjen pak ditë para takimit të dytë që do të mbahet në Bruskel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara