Vuçiq i reagon Osmanit

14:23 | 12 Tetor 2021

Presidenti i Serbisë,  Aleksander Vuçiq i është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka kritikuar qasjen e Serbisë në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara se e ka shfrytëzuar konferencën për ta minuar shtetësinë e Kosovës me propagandë.

Vuçiq tha se Serbia nuk e ka shfrytëzuar konferencën për propagandë por për promovimin e Serbisë dhe Beogradit, shkruan B92.

“Ata mendojnë se politika është për ta sulmuar Serbinë çdo ditë. Ata më kujtojnë dikë. Ata mendojnë se e kanë përfunduar punën politikisht me deklarata të forta dhe se e kanë zgjidhur problemin. Falenderoni ata nëse mendojnë kështu. Ne nuk bëjmë hile, nëse dikush e bënë këtë janë ata, ne nuk e kemi shfrytëzuar samitin për kampanjë brutale por për promovimin e Serbisë dhe Beogradit”, ka thënë Vuçiq.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, permes një shkrimi të publikuar në llogarinë e saj në facebook, ka kujtuar të kaluarën dhe veprimet e Serbisë.

“Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë. Për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera”, ka shkruar presidentja Osmani./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara