Ushtarë të rinj të FSK-së i bashkohen misionit ndërkombëtar në Gaza

21:16 | 12 Korrik 2026
E.G

Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në një mision ndërkombëtar stabilizues në Rripin e Gazës, një prej rajoneve më të paqëndrueshme në botë. Misioni është i mandatuar nga Kombet e Bashkuara dhe synon të mbështesë përpjekjet për siguri në këtë territor.

Përmes një njoftimi në “X”, Bordi i Paqes bëri të ditur se pjesëtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë bashkuar kontingjentit që do të shërbejë në Gaza, shkruan Arbresh.info.

Sipas njoftimit, ata do të angazhohen në fusha të ndryshme, duke përfshirë logjistikën dhe çështjet civile.

“FSK mirëpret anëtarët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ekip. Ata do të mbështesin përpjekjet për siguri në Gaza në fusha si logjistika dhe çështjet civile”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Pjesëmarrja në këtë mision konsiderohet pjesë e angazhimit të Kosovës për të kontribuar në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe stabilitetit, në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) është paraparë në kuadër të një plani prej 20 pikash të presidentit amerikan Donald Trump, që synon t’i japë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Sipas planit, ISF-ja do të jetë një forcë shumëkombëshe, e cila do të vendoset në Gaza për të trajnuar policinë, për të ndihmuar në sigurimin e kufijve dhe ruajtjen e rendit publik, si dhe për të mbështetur çmilitarizimin e territorit nga Hamasi.

Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera, kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe nisi luftën me sulmin e tij masiv në territorin izraelit në tetor të vitit 2023.

Grupi ka shprehur gatishmëri të heqë dorë nga qeverisja e Gazës, por jo nga armët, ndërsa presidenti Trump ka mbajtur një qëndrim të pandryshuar lidhur me këtë çështje.

Përbërja e plotë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese ende nuk është përcaktuar. Megjithatë, sipas Rezolutës 2803 të OKB-së, ajo pritet të veprojë në koordinim me Izraelin, Egjiptin dhe një forcë policore palestineze të trajnuar rishtazi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale