“T’i sqarohet ShBA-ve ndërtimi i kishës në kampusin universitar”

16:12 | 11 Qershor 2021 | Florent Haxhnikaj

Lajmi për liturgjinë e mbajtur në kishën ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës ngjalli shumë reagime nga spektri politik dhe shoqëria civile. Por çfarë në të vërtetë simbolizon kjo kishë dhe cili mund të jetë plani Serbisë për “Katedralen e shpëtimit të Krishtit”, dhe si duhet të veprojë Kosova karshi këtyre veprimeve.

Analisti Fatmir Sheholli u shpreh se kjo është një kishë me pretendime politike dhe jo fetare dhe se çdo veprim rreth zgjidhjes së çështjes duhet të bëhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shteti i Republikës së Kosovës duhet të jetë i kjart dhe decidiv me Kushtetutën dhe ligjet e saj dhe në bashkëpunim të thellë me ShBA për strategjinë rreth kishës ortodokse në kampusin universitar. Ajo që duhet të jetë faktografi për shtetin tonë është që të sqarohet para SHBA-ve që kjo kishë u ndërtua në vitin 1998 me pretendime politike e jo fetare dhe në kordinim me SHBA-të të merren hapat e ardhshëm rreth kësaj çështje të ndjeshme. “

Dialoguesja e mëhershme, Edita Tahiri, nëpërmjet llogarisë së saj në facebook deklaroi se ky veprim nga pala serbe është bërë për të fuqizuar pozicionin e Serbisë në dialog.

“Liturgjia ilegale në kishën okupatore të Milosheviqit, dje ne mes të Prishtinës. Ndërsa mungoi një reagim i fort shtetëror, që do të pengonte një ngjarje të tillë provokuese. Serbia bëri këtë provokim në prag të rinisjes së dialogut, me qëllim që të forcojë pozitën e saj negociatore.”

Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë pas 9 ditësh, me datën 15 qershor në Bruksel ku për herë të parë Albin Kurti do të përballet me  presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq./F.H/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara