Sveçla takoi Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë

12:58 | 23 Janar 2023

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, ku diskutuan për gjendjen e përgjithshme pas vërshimeve që ndodhën në Kosovë.

Me këtë rast, Ministri Sveçla, e njoftoi Spence për gjendjen e përgjithshme e cila është  për momentin në komunat ku ka pasur vërshime më të mëdha dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz, megjithatë theksoi se dëmet janë shumë të mëdha, përcjell arbresh.info.

“Menjëherë pas fillimit të vërshimeve, MPB ka ngritur gatishmërinë shtetërore dhe ka bërë koordinimin e veprimeve së bashku me agjencitë ekzekutive dhe komunat, që fillimisht të evakuojnë të gjithë banorët dhe të mos kemi viktima në njerëz”, theksoi Sveçla.

Ai tha se në kuadër të Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme po vijon koordinimi i intervenimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu po bëhet sigurimi i kërkesave të pranuara nga Shtabet Emergjente të komunave.

Ndërsa Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, e falënderoi Sveçlën për rezymenë e përgjithshme për situatën pas vërshimeve dhe vuri në pah se UN ka gatishmëri që të ndihmojë familjet dhe qytetarët që janë prekur nga vërshimet, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Shpërndaje në rrjete sociale