Shala tërhiqet, dyshon për manipulime

12:21 | 17 Mars 2015

Hajrie Shala, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk iu ka nënshtruar sot testit me shkrim për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo ka bërë kështu pasi dyshon se tashmë janë dy kandidatë që favorizohen për këtë pozitë. Gjyqtarja Shala i ka dërguar komisionit një letër me shkrim ku tregon për mosmarrjen pjesë në këtë test.

Në letrën e Shalës, të cilën para kandidatëve tjerë dhe komisionit e ka lexuar kryetari i komisionit Enver Peci, thuhet se ajo ka informacione se tashmë në këtë pozitë ka njerëz që po favorizohen dhe pjesëmarrjen në testin e sotëm e ka parë si humbje kohe, transmeton kp.
Këto akuza i ka hedhur poshtë Peci, duke e quajtur procesin shumë transparent dhe se kandidati i cili do të marrë më shumë pikë do të përzgjidhet.

Peci ka bërë me dije se ka qenë ai i cili ka përpiluar pyetjet e testit duke treguar edhe kohën që do kenë në pozicion kandidatët për t’u përgjigjur.
Pyetjet të cilat janë zgjedhur për kandidatët sipas Pecit kanë qenë vetëm njohuri rreth së drejtës kushtetuese dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara