Serbia planifikon të kryejë hetime në Kosovë, për pasojat e bombardimeve nga NATO

18:14 | 28 Prill 2018

Shteti serb që nga muaji i ardhshëm do të formojë një laborator kombëtar për kërkime shkencore, mbi pasojat e bombardimeve të NATO-s.

Kështu të paktën tha ministri serb i Mjedisit në Serbi, Goran Trivian.

Ai madje paralajmëroi edhe hulumtime në Kosovë, duke kërkuar që kjo temë të mos ndërlidhet me politikën.

“Fakti që ushtarët italianë që qëndruan në Kosovë kishin sëmundje malinje, tregon diçka. Nganjëherë harrohet se viktima më e madhe e bombardimeve ka qenë hapësira në Kosovë. Në zonat e bombarduara ka pasur uranium, dhe kanë lindur fëmijë me pasoja. Këto mund të jenë të gjitha viktima”, ka thënë Trivan, transmeton lajmi.net.

“Pasojat sigurisht se ekzistojnë, vetëm pyetja është sa të mëdha janë. Ne do të përpiqemi të kryejmë një hulumtim në Kosovë, pasi kjo nuk është politikë, por çështje mjedisore”, tha ministri serb.

Komisioni që do të merret me këtë çështje pritet të themelohet muajin e ardhshëm.

“Unë pres që ne do të përfundojmë punën me dokumente, dhe për një muaj do të formojmë një trup koordinues, këshillin, komitetin drejtues dhe laboratorin kombëtar. Pas kësaj do të mblidhemi dhe do të fillojmë të punojmë”, tha ministri i Mjedisit në Serbi.

Ai ka paralajmëruar se gjithë hulumtimet do të zgjasin disa vjet.

“Kjo punë do të zgjasë disa vjet. Nuk duhet të nxitojmë, do të kemi pajisje të përshtatshme, në mënyrë që e gjithë teoria të vërtetohet”, përfundoi Goran Trivian.

Serbia edhe më herët ka paralajmëruar kryerjen e hulumtimeve të tilla.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara