Rektorati i UP-së u pagua pa kritere nga atestimet e veturave në fakultet

21:52 | 5 Korrik 2018

Rektori, prorektori e deri te zyrtarët administrativë të Universitetit të Prishtinës u paguan pa ndonjë kriter të caktuar nga të hyrat që Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) siguruan përmes atestimeve të veturave.

Sipas rregullores 2/513 për themelimin dhe funksionimin e Instituteve e plotësuar me vendim të Këshillit Drejtues në vitin 2016, parashihet që të hyrat vetjake të krijuara nga atestimet e bëra nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) ndahen 10% për personelin e rektoratit (menaxhues dhe administrativ).

Zyra Kombëtare e Auditimi gjeti se 10 përqindëshi i paraparë për rektorat u nda pa ndonjë kriter të caktuar ndërmjet stafit të rektoratit, raporton Kallxo.com.

“ UP kishte bërë kompensimin nga 10 përqindëshi i të hyrave vetjake nga atestimet për një pjesë të personelit të rektoratit pa ndonjë kriter. Mostra e testuar për kompensime të stafit menaxhues dhe administrative ishte 15,304€”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas këtij raporti Rektori i UP-së pas këshillës në fazën e ndërmjetme, me datën 14.03.2018 kishte marrë vendim për ndërprerjen e të gjitha pagesave për personelin e rektoratit dhe administratës qendrore, nga mjetet e gjeneruara prej punës së instituteve të njësive akademike të UP-së.

Megjithatë përqindjete mëparshme për ndarjen e mjeteve tek personeli ishin të ndryshme duke filluar nga 15% Rektorit, 14% Prorektorit për Çështje Financiare deri në 4% për zyrtar administrative.

Emisioni Drejtësia në Kosovë, këtë vit raportoi lidhur me një vendim të Ministrisë së Infrastrukturës që Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike i ndaloi punën e atestimeve të automjeteve duke krijuar monopol te një kompani për këtë shërbim.

Ministria e Infrastrukturës i’a ka ndalur punën disa vjeçare fakultetit të Inxhinierisë Mekanikë për atestimin e veturave. Për Fakultetin një vendim i tillë është jo-ligjor dhe vlerësojnë se kjo po bëhet për të favorizuar një subjekt privat.

Qendra e Automjeteve të Kosovës do të ketë më shumë punë që nga data 20 prill e këtij viti. Do t’i kenë të garantuara edhe rreth 300 mijë euro qarkullim nga ‘A-testimi”, përveç të hyrave të garantuara nga homologimi i automjeteve.

Pa konkurs, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar këtë biznes për të bërë edhe “Atestimin e automjeteve”, që tash me ligjin e ri do të quhet ‘Homologimi individual të mjeteve rrugore që importohen si dhe atyre të riparuara, përpunuara dhe të përmirësuara’.

Para se të autorizojë QAK-un për homologim individual, Ministria e Infrastrukturës ia ka shkëputur marrëveshjen për “A-Testimin e veturave” Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Kështu, të hyrat e kompanisë “EuroLab” që operon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës do të jenë më të larta, pasi do të jetë e vetmja kompani e autorizuar për të bërë këtë çështje./Kallxo.com/

Lajmet më të lexuara