Rama: Zgjidhja është në tryezë, Kosova ka mundësinë e artë

12:35 | 16 Qershor 2023

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot për lirimin e tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga Serbia.

Në lidhje me këtë situatë Rama tha se zgjidhja për këtë është në tryezën e bisedimeve, zgjidhje kjo e ofruar nga bashkësia euroatlantike.

Për të, dokumenti i marrëveshjes është mundësi e artë për Kosovën.

“Është kaq e madhe kjo mundësi sa të gjitha këto të tjerat janë produkt i një devijimi tërësisht të panevojshëm nga fokusi. Fokusi është të bëhet paqja përfundimtare në tryezë dhe sot bashkësia euroatlantike i ka dhënë Kosovës mundësinë e artë dhe propozimi në tryezë është gjëja më e mirë që mund t’i ndodh Kosovës”, deklaroi Rama.

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk do të jetë e vlefshme përgjithmonë, meqë edhe situatat në të ardhmen do të ndryshojnë.

“Mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje që është në tavolinë dhe kjo mundësi e artë nuk është e thënë që të jenë aty përgjithmonë”, tha Rama.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, Rama kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të kidnapuar nga njësitet speciale serbe në fshatin Bare të Leposaviqit, në vijën e thellë kufitare Kosovë – Serbi./Arbresh.info