Në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë pritet të shtohen disa shërbime të reja që lidhen me kujdesin në fëmijërinë e hershme. Këto shërbime synojnë të lehtësojnë qasjen në kujdes shëndetësor dhe ta përmirësojnë mbështetjen për fëmijët dhe familjet e tyre.
Psikologët klinikë, fizioterapeutët, logopedët dhe punëtorët socialë janë profesionistët që pritet të ofrojnë shërbime në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor.
Këto shërbime vlerësohet se kanë një rëndësi të madhe për intervenimin dhe trajtimin e hershëm tek fëmijët që kanë nevojë për mbështetje profesionale.
Leonora Shabani-Bajraktari, aktiviste politike për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thekson se këto shërbime pritet të lehtësojnë ndjeshëm barrën financiare të prindërve, duke ulur shpenzimet e tyre dhe duke përmirësuar qasjen në kujdesin për fëmijët.
“Këto shërbime, për secilin prind, kanë nevojë që t’ia ofrojë fëmijës dhe për herë të parë po ofrohen në nivel vendi. Është një ëndërr. Unë e kam pasur vetë fëmijën me nevoja të veçanta dhe shumë kam pasur nevojë për këto shërbime, dhe fëmijët që do të lindin do të jenë me fat që do t’i marrin këto shërbime”, tha Shabani-Bajraktari.
Drejtori për Shëndetësi në Prishtine, Bujar Gashi, tregon për organizimin dhe mënyrën se si pritet të funksionalizohen këto shërbime, si dhe nëse ka staf adekuat për ofrimin e tyre në kryeqytet.
“Tashmë që bazën ligjore e kemi, institucionet e kujdesit parësor në mbarë vendin duhet ta shfrytëzojnë këtë bazë ligjore. Sigurisht, si në Prishtinë ashtu edhe në vendet tjera, kemi problem sa i përket numrit aktual të punonjësve dhe nuk kemi ndonjë lëvizje tani për tani, edhe pse ato janë paraparë dhe buxhetuar. Por tani për tani, si këtu ashtu edhe në qytetet tjera, këto profesione duhet të dalin në konkurse të hapura dhe të pranohen njerëz profesionistë të këtyre fushave, që të ndihmojnë programin”, tha Bujar Gashi, drejtor për Shëndetësi në Prishtinë.
Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, ka theksuar se Udhëzimin Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor, i cili rregullon ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme, krijon bazë institucionale për mbështetje të hershme të foshnjave dhe fëmijëve që janë në rrezik për vonesa në zhvillim./RTK
Kosova ushqehet nga importi, toka bujqësore mbetet e papunua...
“Është shumë e vështirë të largohesh nga një vend si ky” – R...
QMF-të me psikologë, fizioterapeutë, logopedë e punonjës soc...
Bilall Kasami dhe Ardita Sinani pjesëmarrës në tubimin e VV-...
Fatmir Gashi i “palëkundur” nga posti i kryetari...
Tirana zyrtare notë verbale Rusisë për sulmin në kompleksin ...