Kurti zhvilloi takim me kancelarin e Austrisë – flasin për marrëdhëniet bilaterale

15:14 | 9 Qershor 2026
E H

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në një takim bilateral nga kancelari i Austrisë, Christian Stocker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Vjenë.

Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Austri ndaj Kosovës që nga vitet ’90, duke përfshirë kontributin në procesin e shtetndërtimit, rrugën evropiane dhe pjesëmarrjen në misionin e KFOR-it.

Ai theksoi se një nga prioritetet kryesore të Kosovës mbetet anëtarësimi në Këshilli i Evropës, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Austrisë në këtë proces, si dhe rol aktiv në Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate.

Në takim u diskutua edhe për deklaratat e kancelarit Stocker mbi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ku Kurti ritheksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim dhe kërkoi avancimin e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me BE-në.

Po ashtu, palët diskutuan për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha si ekonomia, tregtia, investimet, energjia, transformimi digjital, siguria dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe për rolin e diasporës kosovare në Austri.

Në fund të takimit, Kurti uroi Austrinë për zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2027–2028, ndërsa pranoi urime për rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë./Arbresh.info