Projektligji për pagat mund të shkojë në Kuvend gjatë qershorit

17:46 | 29 Prill 2018

Projektligji për pagat me të cilin synohet nivelimi i pagave për punë të njëjta të cilat paguhen nga buxheti i shtetit, pritet të shkojë në Kuvend në muajin qershor. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhëllar.

Projektligji për pagat, ishte miratuar në qeverinë e kaluar të kryeministrit Isa Mustafa, në fund të vitit 2016 dhe u pati proceduar në Kuvend. Por ende pa u diskutuar as në Kryesi të Kuvendit e as në Komisione ishte tërhequr nga Qeveria pas kërkesës së Bashkimit Evropian. Zyra e BE-së në Kosovë kishte kërkuar që Projektligji për Pagat të procedohet në Kuvend në pako me Ligjin për shërbimin civil dhe Ligjin për organizimin e administratës publike. Që nga ajo kohë ka pasur disa parashikime se kur projektligji do të shkonte në Kuvend. Dhe parashikimi më i fundit për Radio Kosovën është dhënë nga ministri i Administratës Publike Mahir Jagxhëllar.

“Ne besojmë se gjatë muajit qershor do të vije në Kuvend, do të vinë ligjet në pako, pasi që edhe kërkesat kanë qenë të dërgohen në pako dhe pastaj në procedurat parlamentare do të shikohet që kjo sa më shpejt të përfundon dhe pastaj të bëhet edhe planifikimi sa i përket hyrjes në fuqi, sepse duhet të bëhet përshtatja edhe përmes akteve nënligjore dhe përshtatja e ligjeve tjera që ligjet të jenë të zbatueshme”, ka thënë ministri.

Jagxhëllar tha se ligji nevojitet të miratohet sepse ai tashmë është edhe pjesë e Agjendës europiane.

“Është pjesë edhe e reformave të Administratës Publike. Ne jemi duke punuar intensivisht në këtë ligj, edhe në ligjin për organizimin e administratës publike dhe në ligjin për zyrtarët publikë, ose ligjin për shërbimin civil”, tha ai.

Pagat e fuqisë punëtore që paguhen nga buxheti i shtetit, do të përcaktohen sipas koeficientit, theksoi ministri Jagxhëllar.

“Në aspektin shifror nuk mundemi tash për të dhënë informata, por në aspektin e raportit, koeficienteve planifikohet paga bazë të jetë 1 me 11 ose maksimumi 1 me 12. Pastaj bëhet përcaktimi I vlerës së koeficientit i cili varet edhe nga buxheti I Republikës së Kosovës e prej faktorëve tjerë, pastaj mund të kalkulohet sa do të jetë paga më e ultë ose më e lartë në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Me ligj synohet të bëhet nivelim sipas pozitave në kuadër të funksionarëve dhe zyrtarëve publikë, faktikisht të gjithë njerëzve të cilët përfitojnë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Aty përfshihen pozita e presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit, ministrave, deputetëve, kryeshefa të agjencive, pastaj kalohet edhe në fushat e shërbimit civil, përkatësisht tek arsimi, shëndetësia e policia./Radio Kosova e Lirë/

Lajmet më të lexuara