Pritje deri në dy muaj për të bërë një ultrazë në QKMF-në e Prishtinës

08:10 | 10 Qershor 2021 | ARDITA ZEKA

Pacientët që rekomandohen për të bërë një eho-abdominale në Radiologjinë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, po presin dy muaj për termin.

E, pritjet e gjata po i detyrojnë ata që të drejtohen në ordinancat private.

Arta (emër i njohur për redakisnë) thotë se termini për eho-abdominale i është bërë pas 2 muajve, dhe për shkak të problemit me stomakun, ajo detyrohet të marr shërbim në ordinancat private.

“Kam probleme këtë kohë me stomakun dhe specialistja e mjekësisë familjare më udhëzoi për të bërë një eho-abdominale. Në Radiologjinë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare më bënë terminin më 2 gusht, fiks pas dy muajve. Kjo më detyron të drejtohem tek ordinancat private, përndryshe nuk guxoj ta zvarriti kaq shumë trajtimin e problemit që e kam”, u shpreh ajo.

Arbresh.info ka kontaktuar U.D drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (​QKMF), Rrezart Halili, rreth kësaj çështjes.

Ai arsyetohet se pritjet e gjata në Radiologji janë për shkak se stafi mjekësor merret edhe me shërbime të tjera.

“Nuk ka ndonjë mungesë por kapacitetet në QKMF janë të tilla, për shkak se stafi nuk bën veç ultrazë por bën edhe ‘rëngena’, ‘memografi’ edhe ultrazërin, është një pjesë e shërbimeve dhe brenda ditës një mjek ose një doktoreshë i kryen tri shërbimet nuk merret vetëm me ‘ultraza’ dhe nuk munden me i mbërri të gjitha. Rastet urgjente pranohen menjëherë. Për rastet e tjera bëhet lista e termineve”, thotë ai.

Pavarësisht terminëve të gjata, Halili thotë se për kapacitetin e Radiologjisë staf ka mjaftueshëm.

“Por po shpresojmë që në një të ardhme të afërt edhe mjekët familjar do të trajnohen ne kurse për me përdor ultrazërin dhe pastaj me i furnizuar edhe qendrat e QKMF-së. Për kapacitetin që e ka kjo radiologji staf ka të mjaftueshëm”, thotë ai.

Ndryshe, pritjet e gjata për shërbime shëndetësore vazhdojnë të jenë problem tek qytetarët tash e sa vite në vendin tonë/A.Zeka/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara