Komuna e Prishtinës ka prezantuar platformën digjitale “mbeturinat.com”, e cila u mundëson qytetarëve të kërkojnë online largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre pa pagesë.
Qytetarët e Prishtinës tash e tutje do të mund të kërkojnë online largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e tyre përmes platformës së re digjitale “mbeturinat.com”, e prezantuar nga drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri.
Sipas Retkocerit, shërbimi do të ofrohet pa pagesë dhe synon të lehtësojë menaxhimin e mbeturinave vëllimore në kryeqytet, pas një periudhe më shumë se njëvjeçare gjatë së cilës ofrimi i këtij shërbimi ishte ndërprerë për shkak të mbylljes së deponisë për mbeturina inerte dhe vëllimore.
“Pas marrjes së mandatit si drejtor i Shërbimeve Publike dhe në bashkëpunim me kryetarin Rama, kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për krijimin e një procedure të qëndrueshme për trajtimin e mbeturinave vëllimore në Prishtinë”, deklaroi Retkoceri gjatë prezantimit të platformës.
Ai bëri të ditur se tashmë është siguruar lokacioni për pikën tranzitore dhe janë përmbyllur procedurat për pajisje me leje mjedisore, ndërsa paralelisht ka nisur edhe largimi masiv i mbeturinave nga zona të ndryshme të qytetit.
“Qytetarët mund të aplikojnë përmes platformës ‘mbeturinat.com’ në vetëm pak minuta. Është një zgjidhje e thjeshtë, e shpejtë dhe falas”, tha ai.
Për të përfituar nga ky shërbim, qytetarët duhet të paraqesin faturën e mbeturinave dhe adresën e banimit, në mënyrë që ekipet përgjegjëse të mund të identifikojnë saktë lokacionin për grumbullimin e mbeturinave.
“Ky është një investim i drejtpërdrejtë në pastërtinë dhe dinjitetin e qytetit tonë.
Mjafton të dërgohet fatura e mbeturinave dhe të dhënat e nevojshme, ndërsa kompania do të kujdeset për largimin e mbeturinave vëllimore nga shtëpitë e qytetarëve”, theksoi Retkoceri.
Përveç aspektit mjedisor, drejtori i Shërbimeve Publike nënvizoi edhe dimensionin social të iniciativës, duke bërë të ditur se pajisjet e përdorura, por ende funksionale, mund të ripërdoren për familjet në nevojë.
“Kjo nuk është vetëm një iniciativë për largimin e mbeturinave. Disa prej pajisjeve që do të mblidhen, nëse janë ende funksionale, do të pastrohen dhe do të shqyrtohet mundësia që ato t’u dhurohen familjeve me gjendje të rënduar sociale. Ky është një model i ri bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, komunës dhe kompanive për ofrimin e shërbimeve më cilësore publike”, përfundoi ai.
Bastisje në tri lokacione në Graçanicë, konfiskohet kokainë ...
LVV: Mërgata në Zvicër ja qiti pikën: Krejt për shtet, shtet...
Prishtina lanson `mbeturinat.com` për largim falas të mbetur...
LDK kujton zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale t...
Rama: Më 26 maj në Bruksel hapim fazën përfundimtare të nego...
Hamza takon veteranin që humbi shtatë fëmijë në luftë: Përba...