Prindërit e Arbnor Spahiut me deklaratë publike, kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët

12:52 | 16 Qershor 2025
E.H

Prindërit e ish-policit  Arbnor Spahiu kanë reaguar publikisht lidhur me arrestimin e djalit të tyre në Serbi, të cilin e konsiderojnë të padrejtë dhe të pabazuar.

Në një deklaratë për mediat, ata shprehen të shqetësuar për trajtimin që po i bëhet birit të tyre, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim, transmeton Arbresh.info.

Sipas familjes, Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të rregullt dhe të qetë.

Ata theksojnë se ngjarja për të cilën ai po akuzohet ka ndodhur një vit më vonë, kur ai nuk ka qenë më i angazhuar në ndonjë institucion dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me rastin.

Deklaratë publike nga prindërit e Arbnor Spahiut

Ne jemi prindërit e Arbnor Spahiut. Djali ynë ndodhet aktualisht në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë.

Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme.

Kjo është arsyeja pse ne, si prindër, e konsiderojmë ndalimin e tij një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore. Ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.

Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet.

Në emër të familjes,

Prindërit e Arbnor Spahiut

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme