Komuna e Prishtinës pati premtuar vitin e kaluar se do t’i vendosë hartat e linjave të transportit urban, por edhe nuk e ka bërë këtë.
Qytetarët tregojnë për problemet që u paraqiten për shkak të mungesës së tabelave me oraret nëpër stacione si dhe me pritjet për disa linja. Në komunë thonë se plani që pritet të realizohet deri në fund të verës, do t’i zgjidhë këto probleme.
Ndonëse Komuna e Prishtinës pati premtuar që stacionet e autobusëve do të pajisen me harta të linjave të transportit urban, kjo gjë ende nuk ka ndodh. Qytetarët madje janë të shqetësuar për pritjet e gjata nëpër disa linja të transportit publik në kryeqytet dhe me mungesë të orareve të qarkullimit. Disa nga qytetarët që më shpesh udhëtojnë më transport publik i thanë Radio Kosovës se nuk janë të kënaqur sa duhet me funksionimin e tij.
Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, tha se hartat e linjave të transportit urban nuk do të vendosen deri në përfundimin e planit të mobilitetit, me të cilin do të riformohet në tërësi transporti urban.
“Hartat nuk i kemi vendosur për shkak se jemi në riformim e sipër të transportit urban, dhe siç kemi njoftuar edhe më parë priten të shtohen linja të reja dhe do të bëhet ndryshimi i linjave ekzistuese. Kështu deri në përfundimin e planit të mobilitetit nuk do të vendosen harta të reja, në mënyrë që të mos ngatërrohen qytetarët”, tha ai.
Tahiri gjithashtu tha se me riformimin e transportit urban do të hapen edhe stacione të reja në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.
“Më e rëndësishmja është se do të ndryshohen stacionet. Dhe në të gjitha ato stacione digjitale udhëtarët mund të marrin informata të sakta për vajtje-ardhjet e autobusëve”, tha ai.
Tahiri theksoi se plani do të fillojë të zbatohet kah fundi i kësaj vere. Një premtim të tillë Komuna e Prishtinës e pati dhënë edhe vitin e kaluar por që në fakt, kjo gjë nuk u përfundua./Radio Kosova/
Osmani për BBC: Kosova e di si arrihet paqja
Vuçiq e quan takimin mes eurodeputetëve dhe opozitës serbe “...
Rama në Izrael, takim kokë më kokë me Netanyahun – zbardhet ...
Protesta e opozitës në Tiranë, nën hetim katër figura kyçe n...
Thirrje në Gjermani për tërheqjen e arit nga SHBA-ja
REL: Kur Perëndimi përçahet, gjëma ndihet edhe në Ballkan