Portali arbresh.info mëson se pritet shkarkimi i Lumezit, guvernatorit Mehmeti dhe zv.guvernatorit Havolli

15:02 | 5 Gusht 2021

“Zinxhirit” në hallkën e shkarkimeve pritet t’i “shkëputen” edhe disa drejtues të lartë shtetëror.

Përgjimet e fundit dhe përformanca e disa drejtuesve pritet të jenë arsyet kyçe që do të çojnë në lirimin nga detyra.

Portali arbresh.info mëson se bëhet fjalë për kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi, dhe dy drejtuesit e Bankës Qendrore, guvernatorin Fehmi Mehmeti dhe zëvendësin e tij Sokol Havolli.

“Emri i Lumezit është përmendur në disa përgjime të publikuara së fundi nëpër medie. Dhe, pritet të merren masa. Por, në ditët në vijim ka me pas ndryshime edhe në Bankë Qendrore, shkaku i performancës”, bën të ditur ky burim brenda institucioneve të rëndësishme publike, i cili për arsye të sigurisë kërkoi të mbetet anonim edhe institucioni.

Kryeprokurori Lumezi nuk është deklaruar për medie pavarësisht se emri i tij u përmend nga njerëz që tashmë janë shkarkuar.

Portali arbresh.info ka tentuar të marrë një përgjigje në lidhje me këtë informacion, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave të gazetarit.

Ndërsa, sipas guvernatorit Mehmeti një informacion i tillë është i pasaktë dhe se ka pak ditë që ka takuar presidenten, Vjosa Omsani, dhe nuk i është thënë asgjë.

“Jo nuk jam në dijeni, nuk kam asnjë informatë, asnjë gjë hiq nuk më është thënë, bile unë kam raporte të shkëlqyeshme edhe me Qeverinë, me Presidencën edhe me Kuvendin, kam pas takime me ta dhe në bazë të asgjë nuk më është thënë asgjë përkundrazi kam një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Së fundi jam takuar me Presidenten Osmani, dhe përkundrazi vetëm përkrahje bashkëpunim dhe nuk kam asnjë vërejtjeje sa i për ketë bashkëpunimit e mos të flasim më për ndonjë iniciativë rreth shkarkimit tim”, deklaroi Mehmeti.

I paqasshëm ka qenë edhe zëvendësguvernatori Havolli, njëherit edhe ish-kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017. Portali arbresh.info pavarësisht përpjekjeve për të marrë përgjigje nga Havolli, ai nuk i është përgjigjur telefonatave.

Emërimet e Mehmetit dhe Havollit asokohe ishin quajtur si “pazare” ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara