Pauzohet të dielave, punimet e kanalizimeve s`përfundojnë për 60 ditë

12:04 | 22 Prill 2018

Janë bërë gati një muaj që kur Komuna e Prishtinës ka filluar punimet në rrugët e qendrës së kryeqytetit. Në këtë pjesë të vendit po bëhet rregullimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik dhe po ashtu po ndërtohet edhe sistemi i ujësjellësit në rrugën “Fehmi Agani”.

Ndonëse, punimet janë paraparë që të përfundojnë në periudhë prej 60 ditësh, ndryshe po del të jetë deri më tani, shkruan Indeksonline.

Kompania që po kryen rregullimet në këtë rrugë, nuk punon më gjatë se në orën 16:00, ani pse dita është zgjatur tani deri në orën 20:00. Përpos kësaj, punëtorët e kanë pushim edhe ditën e diel. Kjo nënkupton se për dy muaj, nuk punohet 8 ditë (të diela).

Si rrjedhojë, punimet duket se do të zgjasin më gjatë sesa ka parashikuar kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkruan Indeksonline.

Ndërsa, përveç prishjeve në rrugë dhe vështirësisë për kalimin e veturave, punimet po shkaktojnë pluhur dhe baltë njëkohësisht.

Ndryshe, duhet theksuar se në botë kryhen punime edhe më të rënda brenda pak ditëve. Kujtojmë rastin në Japoni ku për 48 orë ishte rregulluar një rrugë e tërë dhe ishte shtruar me asfalt pas një shembjeje katastrofale.

Indeksonline sot ka realizuar disa fotografi ku asnjë punëtorë nuk shihet duke punuar në rrugën “Fehmi Agani”.

Lajmet më të lexuara