Paralajmërohen ndryshime të brendshme në kabinetin qeverisës të Ferizajt

12:47 | 1 Mars 2015
Arbresh Info

Përplasjet e fundit në Kuvendin Komunal të Ferizajt si duket e kanë luhatur besueshmërinë e partnerëve të koalicionit qeverisës në Ferizaj.

Se sa do të reflektoj kjo në funksionimin e këtij koalicioni do të shihet në të ardhmen, por tashmë shkëndijat e para të thyerjeve po duken në horizont, sidomos në mes partnerëve më të vogël të koalicionit, AAK-së dhe Nismës Qytetare për Ferizajn (NQF).

Duke iu referuar gjendjes së krijuar pas seancës së Kuvendit, i pari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, thotë se përplasjet e fundit në mes partnerëve në Kuvend nuk e kanë luhatur aspak besueshmërinë e koalicioni, por nuk e ka fshehur faktin se marrëveshjet për koalicione sjellin probleme.

“Kjo shprehet me mungesën e aftësisë për t’iu përmbajtur marrëveshjeve. Unë nuk dëshiroj të përmbys gjithçka në qoftë se ka ndonjë moment që mund të shprehë ndonjë pakënaqësi, por që nuk dëshiroj që ajo të jetë shkasi për acarim deri në pakthim, nuk ka ndonjë arsyeje esenciale. Ajo që ka ndodhur në kuvend duhet të shikohet si çështje e frytit të demokracisë në përgjithësi. Tejkalimet kanë qenë të panevojshme”, ka thënë Sfarqa për KosovaPress.

Për më tepër në sfodin e këtyre zhvillimeve, kryetari Sfarqa, e ka vlerësuar me tone pozitive performancën e të gjithë drejtorëve, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikomponimit të qeverisë lokale, siç tha, për shkak të rritjes së efikasitetit të kryerjes së punëve dhe efikasitetit qeverisës në komunën e Ferizajt.

“Nuk mendoj se do të ketë figura të reja, por që do të ketë lëvizje të brendshme për shkak edhe të përgatitjeve dhe të asaj që unë kam vërejtur që dikush ndoshta do të mund të jep një kontribut të madh në një drejtori tjetër. Ndërkaq nuk do të ketë inkorporime nga jashtë brenda kësaj përbërje, por nuk do të thotë që nuk do të ketë në të ardhmen për shkak se në përgjithësi edhe qeverisja do të jetë evolutive sikurse çdo gjë në botë”, ka nënvizuar Sfarqa.

Ndërkaq, dy partnerët tjerë të koalicionit, AAK-ja dhe NQF-ja, kanë ndarë qëndrime të kundërta sa i përket këtyre zhvillimeve. Drejtuesit e këtyre dy subjekteve janë përplasur së fundi për shumë çështje të cilat kanë nxjerrur në dritë edhe mosmarrëveshjet e tyre.

Kryetari i degës së AAK-së dhe njëherësh nënkryetar i komunës, Xhavit Zariqi, ka thënë se nuk i takon NQF-së dhe kryetarit të saj, të vlerësoj për pjesën e pushtetit që AAK-ja e ka në kaudër të qeverisë komunale.

“Ne nuk kemi marrëveshje me ta, nuk ju takon të përzihen, gjithsecili e din forcën reale të tij, e që e ka përcaktuar votuesi” ka thënë Zariqi, i cili me këtë rast nuk e ka përjashtuar mundësinë e riformatizimit të qeverisë lokale.

“Kjo mund të ndodh thujase në çdo moment, varësisht se si vlerësohet nga kryetari dhe nga partnerët e tjerë të koalicionit. Gjithmonë duhet kërkuar më të mirën, ndryshimet e mundshme do të jenë në funksion të përmirësimit”, ka thënë Zariqi.

Edhe kryetari i NQF-së, Bashkim Fazliu-Migjeni, thotë se nuk ka luhatje të koalicionit qeverisës, duke vënë në dukje se gjithmonë ka qenë një tendencë e AAK-së për ta eliminuar nga pjesa e pushtetit që u takon.

“Ne si NQF në asnjë mënyrë nuk ua japim atë kënaqësi dikujt që ka pretenduar që nga fillimi që ne jemi të tepërt në atë koalicion, pasi dihet se votat tona kanë qenë përcaktuese për fitoren e kryetarit Sfarqa” ka thënë Migjeni. Sipas tij, një situatë të tillë e ka provokuar AAK-ja, duke shpresuar që në këtë rast do të prishet koalicioni në mes LDK-së dhe NQF-së.”Kjo nuk i takon AAK-së të përzihet në mes marrëveshjen tonë me LDK-në, ne jemi partner, ne flasim për rikonfigurim dhe çdo gjë tjetër. Riformatim të qeverisjes lokale sa i përket NQF-së nuk ka nevojë. Performanca e përfaqësuesit tonë në qeveri është e shkëlqyeshme, është për tu marr shembull në nivel të Kosovës” ka thënë Migjeni.

Ndryshe, në seancën e fundit të Kuvendit komunal, rregullorja për ndarjen e dekoratave të komunës ka qenë mollë sherri e përplasjes së partnerëve të koalicionit.

Me këtë rast nuk u përkrah një propozimi i kryetarit të NQF-së që në rregullore të futet “Çmimi për Inovacioni”, e jo “Çmimi Novatori”, siç e kishte paraparë propozuesi i saj.

Gjatë javës ky debat u zhvillua nga distanca me përplasje në mes dy partnerëve më të vogël të koalicionit të cilët nxorën edhe pakënaqësi të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme