Paralajmërimi i komuniteteve: Mund t’i refuzojmë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës

23:19 | 22 Shkurt 2021

Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) , ka thënë që për shkak të bashkëpunimit të Listës Serbe dhe ‘Romani Iniciativa’ ai nuk ka mundur të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Romani Iniciativa me këto vota i ka siguruar dy ulëse në Kuvend, e kam humbur të drejtën e ulëses së garantuar, sepse për 104 nuk kam mujt më hy. Po pres reagime prej misioneve diplomatike që ky kidnapim të ndërpritet, këto vota duhet të anulohen tërësisht, sepse dyshimi është i bazuar”, tha ai.

Ai ka thënë se për të është më mirë që të mos ekzistojnë ulëset e rezervuara sesa të keqpërdoren ato.

“Nëse komuniteti jem nuk mundet me vendos për mua, çfarë më duhet vendi i rezervuar, për me keqpërdor dikush tjetër jo, ma mirë të mos ekzistojë hiç”, tha ai.

Emilja Rexhepi nga Partia e Re Demokratike (NDS) ka thënë se pavarësisht se ka fituar ulëse në Kuvend ajo do të ankohet në KQZ dhe PZAP me partitë e tjera të komuniteteve.

“Duhet me pritë rezultatet e fundit të KQZ-së dhe mandej duhet me bo ankesë, unë do të nënshkruaj. Janë prekur interesat e komuniteteve autentike në Kosovë, edhe na krejt bashkë e bëjmë një ankesë dhe e dorëzojmë në KQZ dhe PZAP dhe pastaj në Gjykatë Supreme dhe Kushtetuese”, tha ajo./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara