Pacolli: Rinia duhet të aktivizohet politikisht, por jo të bëhet politikë me të

16:50 | 14 Janar 2021

Behgjet Pacolli kryetari i Aleancës Kosova e Re, ka vlerësuar rinin e Kosovës si potencialin kryesor në vend.

Pacolli ka thënë se rinia duhet të aktivizohet politikisht, por jo të bëhet politikë me të, shkruan Arbresh.info.

I pari i AKR-së ka bër thirrje që partitë politike mos ta shfrytëzojnë rininë e Kosovës për fatin e tyre.

Ky është postimi i plotë nga Behgjet Pacolli:

Rinia e Kosovës është potenciali më i vlefshëm i shtetit. Këtë e thonë të gjithë, por jo të gjithë e mendojnë.

Shumë parti politike tentojnë që këtë potencial ta ngjyrosin politikisht duke ia deformuar vlerën për t’u shërbyer atyre dhe duke e lënë shtetin pa asetin e vet kryesor.

Rinia duhet të aktivizohet politikisht, por jo të bëhet politikë me të. Rinia duhet të zhvillohet që të bëhet instrumenti i së ardhmes për shtetndërtim, e jo të instrumentalizohet për strategji politike të momentit.

Partitë politike që sot shfrytëzojnë rininë për fatin e vet, bëjnë gabimin fatal për të nesërmen. Ata që sot duan viktima politike nga të rinjtë, do jenë vetë viktima e së nesërmes politike e kësaj rinie.

Ka kaq shumë të rinj në Kosovë që e kanë të vështirë ta parafytyrojnë një të ardhme dhe në vend që t’u ofrohet shteg konkret drejt saj, u flitet për akrobacione në ajër pa kurrfarë domethënie.

Prandaj këto zgjedhje janë kaq të rëndësishme, sepse në kutitë e votimit gjithë të rinjtë mund të zgjedhin në mes të partive si AKR-ja që bën politika për ta, apo disa partive të tjera që bëjnë politikë me ta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara