Pacolli në Washington: Kosova mbetet shembull në rajon për tolerancën dhe bashkëjetesën ndër-fetare

21:26 | 26 Korrik 2018

Ministri i jashtëm nga radhët e AKR-së, Begjet Pacolli dhe njëherit zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, është duke qëndruar në SHBA me ftesë të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

Në konferencën për liritë Fetare në Washington të organizuar nga sekretari i shtetit Mike Pompeo, Pacolli ka thënë se Kosova mbetet shembull në rajon për tolerancën dhe bashkëjetesën ndër-fetare.

Ky është postimi i plotë i fjalimit të Pacollit në washington:

Fjalimi im në Konferencën për liritë Fetare në Washington të organizuar nga sekretari i shtetit Mike Pompeo.
Prezent në këtë konferencë përveç sekretarit Pompeo, ishte edhe zëvendëspresidenti amerikan Pence.

Shkëlqësia Juaj, Ambasador Sam BROWNBACK,
Të nderuar kolegë dhe miq,
Zonja dhe zotërinj,

Më duhet ta falënderojë Zëvendës-Presidentin PENCE dhe
Të nderuarin Sekretar të Shtetit, z. Pompeo për pritjen.

Do të dëshiroja t’ju falënderojë dhe t’ju përgëzojë për iniciativën e ndërmarrë për të organizuar takimin e parë ministerial për Avancimin e Lirive Fetare, këtu, sot në Uashington.

Kosova, është shtet i udhëhequr nga parimet dhe vlerat e demokracisë, të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Liria fetare është një parim, i cili ka rëndësi për ne, për shkak të historisë sonë, trashëgimisë sonë dhe të ardhmes sonë.

Në dizajnimin e rrugës tonë përpara, ne vetëm është dashur
të shikojmë prapa në traditën tonë të gjatë të bashkëjetesës në paqe dhe në harmoni në mes të religjioneve të ndryshme.

Myslimanët, të krishterët, ortodoksët, protestantët, hebrenjtë dhe shumë komunitete tjera jetojnë së bashku në harmoni dhe bashkëjetesë.

Harmonia ndër-fetare është parim për të cilin jemi kujdesur me shekuj dhe nuk kemi lejuar që ideologjitë dhe sistemet politike ta thyejnë atë.

Kosova përbën një shtet shumë etnik dhe shumë konfesional, që ka një histori të gjatë të tolerancës fetare.

Për të ruajtur këtë baraspeshë të mirë dhe nganjëherë të brishtë të komuniteteve, ne kemi punuar, punojmë, do të punojmë dhe duhet të punojmë, shumë së bashku.

Kosova ka dhënë një kontribut mjaftë të suksesshëm në dialogun ndër fetar dhe përkushtimi ynë i përbashkët ka dhënë një zë unik, në të dyja.

Arena ndërkombëtare ndër-fetare dhe në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ky është një përkushtim, për të cilin dëshirojmë të japim siguri, ta fuqizojmë dhe ta vazhdojmë.

Një nga përkushtimet tona ka qenë që të ndërtojmë Kosovën si shtet laik DHE për të ndarë në mënyrë të qartë dhe të vendosur çështjet shtetërore nga ato fetare.

Pika jonë fillestare është kushtetuta shumë moderne.

Kushtetuta e promovon praktikën e papenguar të fesë dhe ofron trajtim të barabartë për të gjitha fetë në Kosovë dhe për ndjekësit e tyre.

Për të promovuar të drejtat dhe liritë e njeriut, politike, sociale dhe kulturore, Kosova i ka përfshirë instrumentet e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës, si pjesë të sistemit juridik, në mënyrë të njëanshme.

Tani, Parlamenti ynë po punon për të miratuar një Ligj modern për liritë dhe të drejtat fetare, i cili i fuqizon këto instrumente ndërkombëtare dhe parimet tona kushtetuese në legjislacionin kombëtar.

Ky ligj është hartuar në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Ne jemi të lumtur që, Ligji i ri është përpiluar duke biseduar,
dëgjuar dhe duke punuar së bashku me të gjitha komunitetet relevante fetare në Kosovë.

Ne, duhet të themelojmë një zyrë për komunitetet fetare brenda zyrës së Kryeministrit.

Ne, si Ministri e Punëve të Jashtme e keni filluar një Iniciativë Ndër-fetare në Kosovë me qëllim të krijimit të mundësive për komunitetet që ato të ndër veprojnë në mes vete.

Kosova e ka një traditë unike të tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare dhe kjo traditë — shprehet në trashëgiminë tonë kulturore,
në objektet e adhurimit, në vlerat arkitekturore nëpër Kosovë; dhe kjo është dëshmia më e mirë, që ne kemi jetuar së bashku me shekuj.

Deri në fund të vitit, siç tha kolegu im shqiptar, do të dëshironim të jemi nikoqir, të konferencës së ngjashme ndër-fetare të radhës në rajonin tonë dhe dëshirojmë që, gjatë asaj konference të vazhdojmë të adresojmë rëndësinë e lirive fetare.

I nderuari Sekretar Pompeo,

Kosova është dhe KOSOVA mbetet shembull në rajon dhe përtej për tolerancën dhe bashkëjetesën ndër-fetare.

Kosova do të mbështesë themelin e lirive fetare.

Ju Faleminderit!/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara