Osmani pas homazheve te varri i Rugovës, kërkon unifikimin e skenës politike

09:18 | 6 Nëntor 2020

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, bëri sot homazhe te varri i ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Osmani pas homazheve ka thënë se është e rëndësishme që në këto ditë të vështira për vendin, të përkulemi para varrit të presidentit historik.

“Për mua dhe të gjithë besoj që në këto kohë të vështira për vendin është me rëndësi që të vijmë të përkulemi dhe të shprehim nderimet tona për njerëzit që ishin jo vetëm arkitekt të shtetit të pavarur, po edhe simbol i urtisë dhe maturisë dhe bashkimit rreth një kauze të vetme”, ka thënë u.d e presidentes.

“Bashkë me bashkëpunëtorët e mi erdhëm të nderojmë presidentin Rugova, njeriu që përmes një politike të pashembullt arriti që t’i bashkojë të gjithë shqiptarët. Ne koha kur të gjithë duhet të flisnim një zëri, arriti ta bashkojë atë zë, e ai zë të jehojë që bota të dijë jo vetëm ku është Kosova po ta marrë vesh për secilin krim që Serbia kreu, jemi këtu për ta nderuar atë punë, shembullin e bashkimit dhe unitetin”, tha ajo.

Osmani është zotuar se duhet të punohet për unifikim të skenës politike, sidomos për çështje të interesit nacional.

“Kjo është përgjegjësi kushtetuese, po në të njëjtin kohë është edhe në vullnetin e partive që ta tregojmë të njëjtin përkushtim, qytetarët nuk do ta falin askënd që ne të bëhemi peng i politikave ditore, për çështje të interes nacional duhet të bashkohemi. Do ta jap kontributin maksimal, varet nga vullneti i përfaqësuesve politik”, ka thënë ajo.

Lajmet më të lexuara