Osmani në Itali: Bandat në veri paguhen dhe armatosen nga Vuçiqi

22:17 | 24 Janar 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar për vizitë në Vatikan dhe Itali , ku dje në Vatikan u takua me Papa Françeskun ndërsa sot në Romë të Italisë u takua me homologun e saj italian, Sergio Mattarella.

Me këtë rast, në Itali ajo ka zhvilluar një intervistë për gazetën e përditshme italiane “Corriere della Serra”, ku është diskutuar për barrikadat në kuadër të tensioneve në veri të Kosovës, tensione të cilat Osmani e ka fajësuar Serbinë.

Osmani theksoi se bandat që operojnë në veri të Kosovës janë të paguara, të mbështetura, të nxitura dhe të armatosura nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Këto banda ajo tha se përbëhen nga kriminelë serbë që janë në listë të zezë të ShBA-ve, përkthen arbresh.info.

“Para së gjithash, po rritet ndikimi rus në Serbi: Beogradi ka dhënë dritën jeshile për hapjen e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse, të cilat sipas ShBA-së nuk janë gjë tjetër veçse qendra spiunazhi dhe e kanë shndërruar kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane”.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë me bandat në veri të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura, të armatosura nga Vuçiqi: kriminelët serbë që prej kohësh janë në listat e zeza të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, ajo që quhet mafia ballkanike dhe që nuk e pëlqen vendosmërinë me të cilën ne po e luftojmë dhe prandaj përdorim dhunë ndaj nesh”, tha ajo në këtë intervistë.

Më tej, e para e shtetit tha se serbët në Kosovë kurrë nuk kanë pasur probleme pas luftës, teksa theksoi se ata serbë përdoren nga Vuçiqi si pengje, dhe më e keqja, ata frikësohen çdo ditë nga bandat e kontrolluara nga presidenti serb.

“Kushtetuta jonë mbron pakicat më shumë se çdo tjetër në Evropë. Ne u frymëzuam nga traditat më të mira të të drejtave të njeriut, sepse donim të siguroheshim që të gjithë ndjehen të sigurt dhe të mirëpritur. Ne ishim të parët që u diskriminuam, ne e dimë se çfarë do të thotë. Serbët nuk kanë pasur kurrë probleme pas luftës: sigurisht që ka pasur incidente, por ato ndëretnike janë 0.03% e totalit dhe janë në rënie”.

“Problemi është se serbët në veri të Kosovës janë në kufi me Serbinë dhe Vuçiqi i përdor si pengje: ata nuk kanë frikë nga unë, ata kanë frikë nga bandat serbe që hyjnë në shtëpitë e tyre, ua djegin makinat, kërcënojnë fëmijët e tyre. Një situatë shumë e vështirë”, ka shtuar Osmani.

Shpërndaje në rrjete sociale