OEK dorëzon kallëzimin penal ndaj ZRrE-së për dëmtim të bizneseve: Cenuan interesin ekonomik!

15:36 | 8 Dhjetor 2025
A Z

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale ndaj Kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për dyshimin e bazuar se ata kanë kryer vepra penale.

OEK ka renditur edhe veprat penale të cilat sipas tyre i kanë kryer: Mos-ekzekutimin e vendimit gjyqësor, keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, shkeljen e detyrimit zyrtar, mashtrimin në detyrë, cenimin e interesit ekonomik publik.

“Ky veprim pason kërkesën e OEK-së drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës.”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Dorëzimi i kallëzimit, sipas OEK-ut mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar.

“OEK mbetet e vendosur në misionin e saj për të mbrojtur interesat e biznesit dhe qytetarëve në Kosovë”.