Nuk ka seancë deri pas zgjedhjeve lokale, në rend dite Projektligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

12:49 | 11 Tetor 2021

Të martën, më 19 tetor 2021, në orën 10:00, do të mbahet seanca plenare e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Seanca mbahet dy ditë pas zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor, të dielën.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të bëhet shqyrtimi i parë i 20 projektligjeve: Projektligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Jashtë Vendit, Projektligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, Projekt-kodit të Procedurës Penale, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin riprodhues, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizav.

Në shqyrtim për ndryshim janë edhe Ligji për shërbimin mjekësor emergjent, Ligji për kontrollin e duhanit, Ligji për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, Ligji për sigurimin shëndetësor, Ligji për shëndetësi, Ligji për ndërprerjen e shtatzënësisë, Ligji për gjak dhe përbërës të gjakut, Ligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, Ligji për produkte dhe pajisje medicinale, Ligji për shëndetësi publike, Ligji për Inspektoratin shëndetësor, Ligji për Inspektoratin sanitar të Kosovës, si dhe Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor.

Në rend dite në këtë seancë do të jetë edhe Raporti vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020, si dhe ai i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara