Një polic i lënduar në veri

20:08 | 31 Maj 2023

Policia e Kosovës ka njoftuar se protestuesit serbë në tri komunat në veri të Kosovës sot kanë lënduar një polic dhe kanë dëmtuar tri vetura të Policisë.

Në një njoftim për medie, organet e rendit bëjnë të ditur se në orët e pasdites protestat në Zvecan, Zubin Potok dhe Leposaviq filluan të tensionohen.

“Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, Policia njofton se janë sulmuar edhe disa ekipe të medieve, ku edhe veturat e tyre janë vandalizuar.

“Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore”, përfundon Policia e Kosovës./Arbresh.info