Hiq më pak se 18 seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar tash e një muaj, që kur ka nisur përpjekja për formimin e institucioneve.
Partia fituese e zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, emër ky që po kundërshtohet kategorikisht nga partitë tjera parlamentare, shkruan Arbresh.info.
Por, përkundër që partitë tjera janë të prera në vendimin e tyre për të mos e votuar Haxhiun, Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk e ka ndërmend ta ndryshoj kandidatin, që e ka sjell vendin në një ngërç politik e institucional.
Të njëjtën dramë që qytetarët po e shohin që nga 19 prilli, mund të vazhdojnë ta shohin edhe për muaj të tërë.
Ndërkohë, derisa loja “pingpong” e partive po vazhdon, Kosova rrezikon t’i humbë 1. 2 miliardë euro. Janë rreth 900 milionë euro nga Komisioni Evropian, të ndërlidhura me agjendën e reformave për zhvillim dhe integrim evropian, si dhe mbi 220 milionë euro nga
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që synojnë përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin ekonomik, si dhe investime kapitale në projekte strategjike si ai i autostradave dhe hekurudhave.
Këto fonde po rrezikohen si pasojë e mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mosformimit të qeverisë.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për Arbresh.info thotë se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kryetarit, mund të vazhdojë njëjtë, derisa të arrihen numrat e nevojshëm.
Kjo pasi sipas tij, Kushtetua e Kosovës nuk parasheh alternativë tjetër.
“Kushtetuta e Kosovës dhe Rregullorja e Kuvendit, nuk parashohin ndonjë afat ligjor se deri kur mund të shkoj kjo situatë në këtë formë siç po ndodhe tani. Ligjërisht, Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48 orë për ta zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët dhe rrjedhimisht kjo çështje do të vazhdojnë në këtë formë deri sa të arrihen numrat për zgjedhjen e tyre”, thotë Bugaqku.
Sipas tij, nëse Presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk arrin që edhe pas ndonjë takimi të mundshëm në të ardhmen me liderët e partive politike të arrijë ndonjë marrëveshje për zhbllokim të situatës, duhet të shihet opsioni i dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
“Presidentja provoi me një takim konsultativ që të gjendet një zgjidhje kësaj bllokade, po si duket partitë parlamentare nuk kanë gatishmëri me arrit një kompromis për zhbllokimi e konstituimit të Kuvendit. Vlerësoj që Presidentja mundet prapë me i ftu në konsulta të serishme palët dhe me shiku mundësinë e arritjes së një kompromisi që tejkalon këtë situatë. Nëse as pas këtyre tentimeve, nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike mes palëve atëherë duhet shikuar mundësinë që të dërgohet çështja në Gjykatë Kushtetuese për të marrë një interpretim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mos zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, shprehet Bugaqku.
Ai thekson se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje për faktin se duhet të konstituohet Kuvendi fillimisht, në atë mënyrë që të hapet rruga ligjore e kushtetuese për procesin zgjedhor.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, deputetët munden me shpërnda Kuvendin, por paraprakisht duhet ta konstituojnë atë fillimisht dhe më pas të votojnë me 80 vota pro shpërndarjes. Kështu që nën këto kushte, për momentin nuk ka ndonjë formë apo mënyrë se si të shkojmë në zgjedhje dhe se varet krejtësisht nga vullneti politik i partive parlamentare”, thekson ai.
Një zgjidhje nuk e sheh as analistja politike Magbule Shkodra, e cila është kundër shkuarjes në zgjedhje pasi, sipas saj, e njëjta situatë ka gjasa që të ri-përsëritet.
“Në asnjë mënyrë të jetë opsion shkuarja në zgjedhje dhe pse prej asaj që po shohim po vërehet që LVV nuk i ka votat për themelimin e Qeverisë dhe ka gjet këtë hapësirë ligjore për të zvarrit. Unë jam gjithmonë kundër shkuarjes në zgjedhje të reja, por duhet ta zgjidhim këtë situatë sepse nëse shkojmë në zgjedhje të reja dhe nëse arrijmë në rezultat të ngjashëm kështu përsëri do të kthehemi në këtë ngërç të njëjtë”, shprehet Shkodra.
Dështimi i mundshëm edhe i seancave të ardhshme, sipas saj, mund të vazhdojë deri në pafundësi.
“Pasi që në këtë çështje nuk janë të specifikuara afatet kohore, ata mund të vazhdojnë kështu kushedi se sa pa u ndalur. Ne e shohim se në rregulloren e punës se duhet të takohen çdo 48 orë maksimumi por kjo nuk e pengon që të takohen pas një ore, pas dy ore pas një dite.
Kështu si ka filluar mund të vazhdoj deri në pafundësi, derisa të shohim një moment që nuk ka rrugë dalje”, thotë Shkodra.
Ajo thotë se presidentja Vjosa Osmani nuk mund të ndikojë në zgjidhjen e kësaj situate.
“Unë po besoj që të gjithë kanë shkuar për ta respektuar si Presidente, por jo për ta pritur që do të ketë ndonjë ndikim në zgjedhjen e ngërçit politik”, u shpreh ajo.
Ndryshe, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kuvendi i Kosovës është bllokuar në një ngërç institucional të thellë.
Partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 ulëse në Kuvend nga 120 mandate sa janë gjithsej, duke mbetur pa shumicën e nevojshme për të formuar institucionet.
Vetëvendosje ka kërkuar mbështetje nga deputetët e pakicave, por ende nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave. Pas disa dështimeve, Kurti i dërgoi letër dhe e ftoi në takim kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili nuk shkoi në takim, por në një përgjigje e ftoi për një qeveri gjithëpërfshirëse, gjë e cila nuk u aprovua nga VV.
Në këtë kontekst, deputetët arritën të japin betimin e tyre më 19 prill 2025, por duke dështuar të zgjedhin kryetarin tash e 18 herë.
Tentativa e 19-të me radhë është nesër (21 maj) nga ora 10:30 dhe nuk pritet ndryshim as në kandidaturën e LVV-së për kryetar të Kuvendit, por as në qëndrimin e partive tjera kundër sa./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të arm...
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...