Mediat ndërkombëtare shkruajnë për dënimin e të akuzuarve të rastit “Medicus”

09:53 | 25 Maj 2018

Edhe mediat ndërkombëtare kanë shkruar për dënimin që iu dha dje të akuzuarve për rastin “Medicus “, njofton Klan Kosova.

Ndër to, Reuters ka shkruar që dy doktorët kosovarë janë dënuar për herë të dytë të enjten për përfshirjen e tyre në një rrjet trafikimi organesh që kryente transplantime ilegale në një klinikë afër Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë dje dënoi Lutfi Dervishin me 7 vjet e gjashtë muaj burgim për veprat “trafikim me qenie njerëzore” dhe “krim të organizuar” në rastin e njohur si “Medicus”.

Ai po ashtu u dënua me 8000 mijë euro gjobë, dhe iu ndalua ushtrimi i profesionit të urologut për periudhë dyvjeçare.

Ndërkaq i akuzuari tjetër, Sokol Hajdini, u gjet fajtor për akuzën “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënua me 1 vjet burgim.

Rasti “Medicus’” që ishte gjykuar nga EULEX-i ishte kthyer në rigjykim nga trupi gjykues i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Gjykata e Apelit kishte dënuar urologun Lutfi Dervishi me 8 vjet burgim derisa anesteziologun Sokol Hajdini me 5 vjet burgim.

Paraprakisht, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi Dervishin në vitin 2013 me 8 vjet burgim derisa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.

Sokol Hajdinit i ishte rritur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 3 vjet burgim sa kishte shqiptuar Gjykata Themelore e Prishtinës në 5 vjet burgim.

Pjesë e rastit “Medicus” ishte edhe djali i urologut Lutfi Dervishi, Arban Dervishi, i cili ishte dënuar me 8 vjet burgim.

Ai nga Gjykata Themelore ishte dënuar me 7 vjet e tre muaj burgim derisa Gjykata e Apelit ia kishte rritur dënimin në 8 vjet burgim.

Por trupi gjykues e kishte veçuar procedurën ndaj Arban Dervishit i cili është akoma në arrati./klan kosova/

Lajmet më të lexuara