I mandatuari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, më 11 janar pritet të dorëzojë në Kuvend për miratim përbërjen e Qeverisë së re, të cilën do ta përbëjnë Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.
Mbrëmjen e 10 janarit, LSDM-ja pritet të zyrtarizojë emrat e kandidatëve të saj për ministra.
Qeveria e re pritet të ketë 16 ministri dhe katër zëvendëskryeministra. LSDM-ja, do të drejtojë tetë ministri, BDI-ja gjashtë ndërsa Alternativa do të drejtojë dy ministri. Kjo parti do të ketë edhe një ministër pa resor, i angazhuar për diasporën. LSDM-ja pritet të ketë më shumë emra të rinj, si në dikasterin e mbrojtjes, drejtësisë, bujqësisë, punës dhe politikës sociale.
Ndërkaq, BDI-ja ka caktuar për ministër të Arsimit, Jeton Shaqiri. Alternativa ka nominuar Bekim Saliun në postin e ministrit të Shëndetësisë, ndërkaq Admirim Altini pritet të jetë ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
Seanca për votimin e Qeverisë, sipas Kushtetutës, zgjatë dy ditë pasi të kenë kaluar afatet tjera ligjore si dhe të kenë përfunduar bisedimet mes partive për përbërjen e Qeverisë së re.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, më parë ka deklaruar se pret që debati parlamentar të mbahet më 15 dhe 16 janar, që më 17 janar Qeveria e re të nisë punën.
Se Qeveria do të zgjidhet deri në këtë datë e konfirmon edhe fakti se më 18 janar për vizitë në Maqedoninë e Veriut pritet të qëndrojë kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.
Vizita e kreut të Qeverisë bullgare në Shkup jep sinjale se zgjidhja e kontestit më Bullgarinë do të jetë prioriteti kryesor i punës së Qeverisë së re maqedonase.
Mandatari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se është i gatshëm që me Sofjen të bisedojë për të gjitha çështjet e hapura, por jo për temat që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas.
“Megjithatë, vlerësoj se Republika e Bullgarisë është fqinja jonë e parë, me të cilën ne duhet t’i zhvillojnë marrëdhëniet ekonomike, të transportit, ato shkencore, por edhe në sfera tjera, në të mirë të dy popujve dhe shteteve tona”, ka deklaruar Kovaçevski.
Sipas tij, bisedimet mes dy vendeve duhet të përfundojnë me një marrëveshje për heqjen e vetos bullgare për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka përmbushur të gjitha kriteret që janë dhënë nga Bashkimi Evropian, pasi kemi katër raporte të njëpasnjëshme pozitive andaj edhe konsideroj se tani është koha që të nisim bisedimet e anëtarësimit evropian”, ka theksuar Kovaçevski.
Ndërkohë, opozita maqedonase është jo vetëm kundër negociatave me Bullgarinë, por edhe kundër Qeverisë se re që pritet të votohet. VMRO-DPMNE-ja konsideron se Dimitar Kovaçevski nuk ka legjitimitet as për të drejtuar Qeverinë e as për bisedime me Bullgarinë.
“Kovaçevski nuk ka legjitimitet për të negociuar dhe udhëhequr procesin në kontestin me Bullgarinë sepse legjitimitetin nuk i ka dhënë populli, por e mori nga Zoran Zaevi, i cili e solli Republikën e Maqedonisë në këtë pozitë katastrofale. Popullit maqedonas nuk i duhen deklarata false optimiste, por i nevojitet gatishmëri diplomatike, kapacitet dhe vendosmëri në negociata, gjë që LSDM-ja nuk i ka”, deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Dimitar Kovecaki në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të zëvendësojë ish-kryeminsitrin, Zoran Zaev i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021./rel
Guardiola: Messi është futbollisti më i mirë ndonjëherë
Tetë këshilla si të parandaloni grumbullimin e pluhurave në ...
A e dini se kafeja është e thartë? Ja se si mund të ndikojë ...
Roboti dirigjent bën debutimin në Gjermani
Pesë ushqime që shkaktojnë probleme me hormonet
Mbrojtësi danez flet pas përballjes me Yamalin: Unë do të lu...