LVV: Mërgata në Zvicër ja qiti pikën: Krejt për shtet, shtet për krejt 116

11:36 | 24 Maj 2026
E.G

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubim me mërgatën në Zvicër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mobilizim për zgjedhjet e 7 qershorit, duke përsëritur sloganin “Krejt për shtet, shtet për krejt” dhe numrin 116.

Sipas njoftimit të partisë, tubimi u zhvillua në një atmosferë festive, me sallë të mbushur, flamuj kuqezi dhe të Kosovës, si dhe brohoritje në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje  dhe Kurtit.

Në fjalimin e tij para bashkatdhetarëve, Kurti foli për rrugëtimin politik të Lëvizjes, mbështetjen e vazhdueshme të mërgatës dhe objektivat për mandatin e ardhshëm qeverisës. Ai tha se programi i VV-së është i fokusuar në “punë për qytetarin, mirëqenie për familjen, mbrojtje të shtetit dhe lartësim të kombit”.

“Na keni mbështetur në kohë të vështira, në situata të rënda, atëherë kur është dukur se gjendja ishte e pashpresë. Por ju asnjëherë nuk e keni lënë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk ju ka lënë juve”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ai kujtoi rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, duke thënë se “me pulsin 116” janë mbledhur “gati 500 mijë zemra”, ndërsa bëri thirrje që më 7 qershor të tejkalohet ky numër.

Kurti foli edhe për politikat ekonomike të qeverisë, duke thënë se rritja ekonomike është shoqëruar me ulje të varfërisë dhe pabarazisë, si dhe paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm do të vihen në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane për investime private në prodhim dhe fabrika.

Në fund të tubimit, ai përsëriti thirrjen drejtuar mërgatës për mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit, me mesazhin: “Krejt për shtet, shtet për krejt”.

Shpërndaje në rrjete sociale