Listat me nga 110 kandidatë a ja pamundësojnë LVV-së fitoren e pretenduar?

08:40 | 21 Janar 2021

Mos arritja e koalicioneve mes partive politike duket se nuk do të shkaktojë problem që Lëvizja Vetëvendosje të fitojë 51%, të votave në këto zgjedhje.

Njohësit e rrethanave politike në vend sqarojnë nëse përbërja e listave të partive të mëdha me nga 110 kandidat do t’ja pamundësojë Vetëvendosjes fitoren e pretenduar.

Të paktën kështu mendojnë personat që merren me çështje të politikës në vend.

Sipas analistit politik, Shkodran Ramadani, shkuarja veç e veç në këto zgjedhje  nuk do të thotë që do të kenë ngritje elektorale.

Ai shton se partitë e tjera mund të shtojnë vota, por jo në përqindje të lartë.

“Nuk besoj që ka pas shans me i marr 50%, edhe me pas koalicione tjera. Partitë tjera garojnë me lista të vetme munden me shtu vota, ama jo shumë. NISMA s’mundet më i marr ma shumë se 2 apo 3 %. (?!)Koalicionet vetëm sa ja rrisin votat pasi krahu i luftës nuk ka ndonjë koalicion. Pastaj kemi Vjosa Osmanin që është së bashku me Albin Kurtin, edhe ky është njëfarë koalicioni, kështu që nuk besoj se do të ndikojë te votat e Vetëvendosjes”, vlerëson Ramadani.

E se nuk do të ketë risi në këto zgjedhje e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Fatmir Sheholli.

Vetëm se sipas Shehollit, ndonëse Vetëvendosje do të jetë fituese, rezultati nuk do të jetë bindshëm për ta.

“Konsideroj që këto zgjedhje do të sjellin risi në Kuvendin e Kosovës në kontekstin e asaj që VV do të jetë fituese, por jo bindshëm sepse do t’i nevojitet koalicion për qeveri dhe për president. Besoj që për 100 deputet shqiptar, VV do të fitojë 40 deputetë, dhe ky do të jetë maksimumi për VV”.

Kujtojmë se vendi ynë do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 14 shkurt të këtij viti.

Në këto zgjedhje nuk ka koalicione parazgjedhore të partive të mëdha, ani pse partitë pas zgjedhjeve nuk kanë dhënë vija të kuqe për asnjë subjekt.

Risi në këto zgjedhje është largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja dhe bashkëngjitja e saj në listën e Vetëvendosjes./V.Selimi/arbresh.info/

 

 

Lajmet më të lexuara