Lista Serbe ka deklaruar se në takimin e së enjtes me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në veri të Mitrovicës është diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Në deklaratën e lëshuar në faqen zyrtare të kësaj partie, thuhet se përfaqësuesit e Listës Serbe i kanë thënë Lajçakut se serbët e veriut nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumië serbe “në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 të arritura në Bruksel”.
Më tej thuhet se është diskutuar edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill në katër komuna veriore, rezultatet e të cilave Lista Serbe thotë se nuk i njeh.
“Në takim u shprehën shqetësimet e qytetarëve për represionin e vazhdueshëm të regjimit të Albin Kurtit ndaj serbëve në Kosovë, veçanërisht në veri. Theksuam se Lista Serbe, por edhe i gjithë populli serb nuk i njeh rezultatet zgjedhore në të cilat dolën 0.02% e serbëve, dhe se ato janë rezultat i proceseve ilegale, jolegjitime dhe jodemokratike, të cilat ekspozuan synimin e Kurtit për pushtimin e veriut, dhe se ndryshe nga ai, ne jemi të interesuar që ta ruajmë paqen, por edhe ta ruajmë popullin serb në këtë rajon. Ritheksuam se vendimi i popullit serb është që të largohen nga institucionet dhe të mos marrin pjesë në këto zgjedhje të rrejshme dhe se asnjë nga serbët e veriut nuk do të kthehet në institucione derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në Bruksel, dhe të tërheqin të gjitha njësitë speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania në Kosovë, një grua dhe...
Franca thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Izrael, K...
Rizvanolli kërkon rritje të masave të sigurisë, pas vdekjes ...
“Na ke bërë krenarë”, Hygerta surprizohet nga nëna për final...
Begaj: Nuk është e drejtë që Kosova ka mbetur larg proceseve...
Porti i ri tregtar në Porto Romano, SPAK sekuestron dosjen e...