Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kujtuar sot 34-vjetorin e zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në Kosovë më 24 maj 1992, duke i cilësuar ato si një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e vendit drejt demokracisë, lirisë dhe pavarësisë.
Përmes një komunikate në Facebook, LDK thekson se zgjedhjet e vitit 1992 përbënin “pikënisjen e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci”, të zhvilluar në rrethana të vështira politike dhe historike për vendin.
Lidhja Demokratike po ashtu vlerëson procesin e zgjedhjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e përshkruar atë si figurë qendrore të periudhës së rezistencës paqësore dhe ndërtimit të institucioneve paralele të shtetit të Kosovës në vitet ’90.
Sipas deklaratës së LDK-së, Rugova është “udhërrëfyes, misionar dhe prijës shpirtëror” i popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë, si dhe një mbështetës i vazhdueshëm i orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, partia thekson se figura e tij mbetet “e pazëvendësueshme” dhe se për më shumë se dy dekada ai ka udhëhequr proceset që, sipas tyre, kanë çuar në formësimin e shtetit të Kosovës.
LDK po ashtu nënvizon se 24 maji sot shënohet si “Dita e Presidentit”, në nderim të veprës së Rugovës dhe rolit të tij në historinë politike të vendit. Në këtë përvjetor, sipas partisë, qytetarët e Kosovës e kujtojnë këtë datë si simbol të fillimit të organizimit politik dhe institucional në funksion të pavarësisë.
Deklarata përfundon me vlerësimin se Ibrahim Rugova mbetet “arkitekt dhe projektues i pavarësisë së Kosovës”, duke e konsideruar atë një nga figurat më emblematike të shtetformimit në historinë moderne të vendit.
Bastisje në tri lokacione në Graçanicë, konfiskohet kokainë ...
LVV: Mërgata në Zvicër ja qiti pikën: Krejt për shtet, shtet...
Prishtina lanson `mbeturinat.com` për largim falas të mbetur...
LDK kujton zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale t...
Rama: Më 26 maj në Bruksel hapim fazën përfundimtare të nego...
Hamza takon veteranin që humbi shtatë fëmijë në luftë: Përba...