Lajçak javën tjetër në Kosovë e Serbi për propozimin franko-gjerman, paralajmëron takim Kurti-Vuçiq

21:22 | 1 Dhjetor 2022

Javën e ardhshme, Përfaqësuesi Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi, lidhur me propozimin franko-gjerman.

Lajçak ka thënë se do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit të marrëdhënieve, bazuar në këtë propozim.

“Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit”, ka deklaruar Lajçak në Kanal 10.

Më pas ka thënë do të përgatitet edhe takimi i radhës i nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili do t’i përkushtohet vetëm propozimit franko-gjerman.

“Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka thënë kanë nisur diskutimet për datat e mundshme të këtij takimi.

“Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm, është me të vërtetë e rëndësishme që nëse takimi është i përgatitur mirë, nuk duam të humbim kohë. Prandaj po udhëtoj javën e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale