Kushtetuesja i jep dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë: S’është në kundërshtim me Kushtetutën, t’i dërgohet Presidentes për shpallje

15:28 | 25 Prill 2025
K.B

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, meqë ka gjetur se nenet e kontestuara nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Në njoftimin e Kushtetutes thuhet se është vendosur që Ligji t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani për shpallje.

“Gjykata njëzëri (i) ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Njoftimi plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastin KO222/24, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO224/24, me parashtrues: Isak Shabani dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë.

Gjykata njëzëri (i) ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iii) të konstatojë që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, nuk janë në kundërshtim me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ashtu siç është sqaruar në Aktgjykim, thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesave ndërlidhet me shndërrimin e pozitave me mandat të pacaktuar në pozita me mandat të caktuar të nëpunësve civilë të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët, të caktuar përmes paragrafëve 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar, në esencë, për shkak se, sipas tyre ky shndërrim: (i) bie në kundërshtim me “të drejtat e fituara”, dhe cenon “pritjet legjitime” të nëpunësve civilë në fjalë, të cilët kanë nënshkruar akt-emërime me afat të pacaktuar, duke cenuar të drejtën e tyre në pronë të garantuar më nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; si dhe (ii) cenon marrëdhënien e tyre të punës të fituar në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi, në kundërshtim me nenin 49 [E drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në parim, u mbështetën nga Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila nuk ishte identifikuar në listën e palëve të interesuara nga ana e Gjykatës por ka dorëzuar komentet e saj me vetë-iniciativë më 25 nëntor 2024, ndërsa, u kundër-argumentuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Gjykata, në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, sqaroi se paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar, në esencë, rregullojnë çështjen e shndërrimit të pozitave me mandat të pacaktuar në pozita me mandat të caktuar të nëpunësve të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët në shërbimin civil, rregullimi i të cilave ishte edhe objekt vlerësimi në rastet e bashkuara KO216/22 dhe KO220/22, të vendosur përmes Aktgjykimit të Gjykatës më 2 gusht 2023. Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata kishte konstatuar se: (i) kufizimi i mandateve për nëpunësit civilë të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët me efekt në të drejta pas hyrjes në fuqi të Ligjit bazik, i përcaktuar në nenin 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) të Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët publik nuk ishte në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] dhe nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; ndërsa (ii) kufizimi i mandateve për nëpunësit civilë të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët me efekt në të drejta para hyrjes në fuqi të Ligjit bazik, i përcaktuar në paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të po këtij ligji, të cilat më pas, përmes këtij aktgjykimi ishin shfuqizuar, nuk ishin në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo për shkak se kufizimi/ndërhyrja në të drejtat e fituara nuk ishte “proporcionale në raport me qëllimin e synuar”.

Në kontekst të rrethanave të rastit aktual, Gjykata, në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesave për cenim të së drejtës në pronë të nëpunësve civilë që aktualisht mbajnë pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues me mandat të pacaktuar, të fituara bazuar në ligjet ekzistuese për shërbimin civil/zyrtarët publikë, sqaroi se në krahasim me legjislacionin aktual (Ligji nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë), ndryshimi që sjellë Ligji i kontestuar përmes paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 18 të Ligjit të kontestuar, ka për pasojë: (i) humbjen e një drejte të fituar, përkatësisht humbjen e mandatit të pacaktuar për nëpunësit e nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët, të cilët aktualisht kanë akt-emërime me mandat të pacaktuar; (ii) mundësinë e zvogëlimit të pagës së tyre në rast se: (a) bazuar në rezultatet e performancës gjatë mandatit të parë nuk u vazhdohet mandati pas katër (4) viteve nga hyrja në fuqi e Ligjit të kontestuar; ose (b) pas tetë (8) viteve, respektivisht përfundimit të mandatit të dytë, kur shpallen konkurset publike për këto pozita, të njëjtit mund të mos rizgjidhen në pozitat e tyre por sistemohen në pozita të lira të kategorisë më të ulët profesionale se kategoria drejtuese pa u vendosur në Listën e Pritjes.

Pas shtjellimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me të drejtën e pronës dhe të drejtave të fituara, përfshirë dhe bazuar në praktikën gjyqësore të vetë Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Aktgjykimi përsëriti që këto të drejta nuk janë absolute dhe mund t’i nënshtrohen kufizimeve/ndërhyrjes bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, vetëm për aq sa kufizimi/ndërhyrja në të drejtën përkatëse është (i) e “përcaktuar me ligj”; (ii) “ndjek një qëllim legjitim”; dhe (iii) është “në proporcion të arsyeshëm me qëllimin që kërkohet të arrihet”.

Në aplikimin e parimeve dhe kritereve të elaboruara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se ekziston ndërhyrja në gëzimin paqësor të pronës për shkak se, Ligji i kontestuar parasheh në rast (i) të mos vazhdimit të mandatit të parë; ose (ii) pas përfundimit të mandatit të dytë në rast të moskonkurrimit apo mospërzgjedhjes pasi që i nënshtrohen konkursit të hapur publik për rizgjedhjen në atë pozitë drejtuese, nëpunësit civilë të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues “ex lege” sistemohen nga njësia përgjegjëse në një pozitë të lirë të kategorisë profesionale, që nënkupton edhe zvogëlimin e pagës, respektivisht “diferencën në pagë”, e cila në rastin konkret, në kontekst të të ardhurave përbën të drejta pronësore. Aktgjykimi, sipas sqarimeve të dhëna, gjithashtu konstaton se kufizimi/ndërhyrja në të drejtat e fituara, (i) është “i përcaktuar me ligj”; dhe (ii) ndjek “qëllimin legjitim”.