
Screenshot
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar sot dy takime me liderët e partive kryesore opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Dy takimet, ndonëse të zhvilluara në të njëjtën ditë, dhanë sinjale të ndryshme politike. Ndërsa PDK-ja e bëri të qartë se do të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati, me LDK-në u hap mundësia për vazhdim të dialogut politik rreth krijimit të një stabiliteti institucional dhe shmangies së zgjedhjeve të reja.
Pas takimit me Hamzën, Kurti e vlerësoi bisedën si konstruktive, por pa rezultate konkrete. Kreu i PDK-së, megjithatë, dha një mesazh të qartë se partia e tij nuk synon pjesëmarrje në qeverisje.
Kjo e zhvendos fokusin e Kurtit drejt mundësisë së sigurimit të mbështetjes nga subjektet e tjera politike, veçanërisht LDK-ja, e cila ka lënë hapur derën për negociata.
Takimi me Abdixhikun dhe ish-presidenten Vjosa Osmani zgjati mbi dy orë dhe, sipas të dyja palëve, u zhvillua në një atmosferë konstruktive. Megjithëse nuk pati marrëveshje konkrete, diskutimet u përqendruan në parimet mbi të cilat mund të ndërtohet një bashkëpunim i mundshëm.
Kurti foli për një “ndërmarrje të madhe e të gjerë”, duke theksuar se bisedimet kërkojnë besim, mirëbesim dhe kohë. Ai tha se palët kanë diskutuar për koncepte, parime, afate dhe funksione institucionale, por jo për ndarje konkrete postesh.
Nga ana tjetër, Abdixhiku deklaroi se LDK-ja dhe LVV-ja kanë diskutuar për “shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja” dhe për nevojën e stabilitetit institucional. Ai theksoi se për LDK-në çështja kryesore janë parimet, vlerat dhe balanca demokratike, ndërsa mohoi se janë diskutuar emra konkretë për poste.
Një nga çështjet më të ndjeshme në këto diskutime mbetet zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Kurti tha se fokusi aktual nuk është te emrat, por te krijimi i një konsensusi sa më të gjerë, duke theksuar se presidenti duhet të jetë figurë që përfaqëson unitetin dhe të ketë mbështetje të gjerë politike.
Në përfundim të ditës së parë të konsultimeve, ende nuk ka një marrëveshje politike, por dallohen dy zhvillime kryesore: PDK-ja e ka pozicionuar veten në opozitë, ndërsa LDK-ja dhe LVV-ja kanë nisur një proces diskutimi që mund të jetë përcaktues për formimin e institucioneve të reja.
Sfida kryesore për Kurtin mbetet sigurimi i shumicës së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, formimin e qeverisë dhe më pas zgjedhjen e presidentit, proces që kërkon një koordinim më të gjerë ndërpartiak.
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...