Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, thekson partneritetin me Austrinë

14:50 | 9 Qershor 2026
E H

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës “Njihuni me Kosovën në Vjenë 2026”, i cili këtë vit zhvillohet nën temën “Rruga e Kosovës drejt Integrimit Ekonomik dhe Rritjes”.

Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi marrëdhëniet me Austri, duke e cilësuar atë si një nga mbështetëset më të rëndësishme të Kosovës në proceset e zhvillimit dhe integrimit evropian.

Ai tha se para forumit ka zhvilluar një takim me kancelarin austriak Christian Stocker, ku janë diskutuar marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi ekonomik, investimet, siguria rajonale dhe procesi i integrimit evropian të Kosovës.

Kurti theksoi se Austria ka luajtur rol të rëndësishëm në periudha të ndryshme të historisë moderne të Kosovës, duke kontribuar si në diplomaci ashtu edhe në mbështetjen për perspektivën evropiane të vendit.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës kosovare në Austri, duke thënë se ajo shërben si urë lidhëse mes dy shteteve dhe kontribuon si në shoqërinë austriake ashtu edhe në zhvillimin e Kosovës.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Kurti theksoi se integrimi evropian është një proces i gjerë që përfshin jo vetëm aspektin politik, por edhe atë njerëzor, duke kërkuar bashkëpunim dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit./rtk