Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë marrë pjesë të mërkurën në përurimin e Akseleratorit të ri linear dhe Bunkerit në Klinikën e Onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, si dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore.
Ky projekt cilësohet si investimi më i madh i realizuar gjatë këtij viti në QKUK. Vlera e përgjithshme e pajisjeve dhe investimit arrin në rreth 2.7 milionë euro, ndërsa vetëm Akseleratori i ri kap vlerën prej 1.6 milionë euro.
Investimi është përmbyllur brenda një periudhe prej vetëm pesë muajsh.
Duke folur para mediave, Kryeministri Kurti theksoi se Klinika e Onkologjisë ka pësuar një transformim të thellë, si në aspektin e kushteve për pacientët ashtu edhe për stafin shëndetësor.
“Jemi në Klinikën e Onkologjisë, e cila ka përjetuar një transformim rrënjësor, si në kushtet për pacientët ashtu edhe për stafin. Kjo klinikë tashmë është shembull në Kosovë. Nga 45 shtretër sa kishte më parë, sot ka 150 shtretër. Vlera e përgjithshme e pajisjeve është 2.7 milionë euro dhe ky investim është realizuar për vetëm pesë muaj. Akseleratori, në vlerë prej 1.6 milionë eurosh, ofron saktësi maksimale në rrezatim, duke goditur tumorin pa dëmtuar indet përreth. Kjo do ta zvogëlojë edhe më shumë listën e pritjes dhe do të sigurojë kushte shumë më të mira pune.”, ka thënë Kurti.
Gjatë vizitës, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, iu parashtrua edhe një pyetje nga gazetarët lidhur me faktin se përurimi u mbajt pikërisht sot, në ditën e fillimit të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Megjithatë, Kurti nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje./Arbresh.info/
Sulmi kibernetik lë jashtë funksionit shërbimin postar të Fr...
Besa Famgas, kampione vjeshtore në Superligën e Kosovës
Rusia përshkallëzon sulmet ndaj rajonit kyç të Ukrainës, Ode...
Neymar operohet me sukses, synimi i tij i vetëm është pjesëm...
Aksident me vdekje në Tepelenë-Memaliaj, humb jetën 45-vjeça...
Durmishi: Rrugët në brezin kufitar po rrisin sigurinë dhe zh...