Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, është personi më i votuar në historikun e zgjedhjeve në Kosovë, me 385 mijë e 692 vota, sipas tabelës së përditësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në minutat e fundit.
Lideri i LVV-së ka arritur ta thyejë rekordin e tij të vendosur në shkurt të vitit 2025, kur vendi mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe ai kishte grumbulluar 337.791 vota. Edhe atëherë, Kurti kishte thyer rekordin që e mbante Vjosa Osmani, e cila si politikane kryesonte listën garuese të LVV-së në zgjedhjet e vitit 2021, kur Kurti nuk kishte arritur të certifikohej për atë garë zgjedhore nga KQZ-ja.
Rekordin e Vjosa Osmanit të vitit 2021, në këto zgjedhje e ka thyer edhe i dyti në listën e Vetëvendosjes, njëherësh nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca.
Sipas rezultateve të përditësuara së fundmi nga KQZ-ja, Konjufca ka arritur t’i fitojë 302.724 vota, duke u bërë personi i dytë më i votuar në vend.
I treti në radhë në këto zgjedhje është lideri i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka fituar 158.413 vota, rreth 60 mijë më shumë se ish-lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili në zgjedhjet e shkurtit kishte marrë gjithsej 98.415 vota.
Pak mbi 86 mijë vota ka marrë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gati përgjysmë më pak se në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, kur kishte fituar mbi 146 mijë vota.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në këto zgjedhje ka arritur t’i fitojë 42.069 vota, rreth 3 mijë më pak se sa kishte marrë në garën e shkurtit të vitit të kaluar.
Ndërkohë, edhe në vitin 2019, kur vendi mbajti zgjedhjet parlamentare, dy personat më të votuar ishin Albin Kurti nga Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila atëbotë ishte e nominuara e LDK-së për kryeministre. Kurti kishte mbledhur 183.952 vota, ndërsa Osmani 176.016 vota.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2017, politikani më i votuar ishte Albin Kurti me 143.621 vota, i pasuar nga lideri i atëhershëm i PDK-së, Kadri Veseli, me 129.947 vota.
Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte mbajtur rekordin e personit më të votuar në Kosovë në zgjedhjet e viteve 2010 dhe 2014. Në zgjedhjet e vitit 2014, Thaçi kishte fituar 166.422 vota, ndërsa në vitin 2010 160.850 vota, duke u renditur i pari ndër liderët e asaj kohe.
Ndërsa ish presidneti, Ibrahim Rugova që drejtonte LDK-në kishte fituar 359 mijë e 851 në vitin 2001, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2004, sërish si partia e parë kishte fituar 313 mijë e 437./RTK
Raportimet për lidhjet tregtare me Serbinë, NOA Energy reago...
Yamal në bankë, Barcelona – Bilbao, publikohen formaci...
Kusari-Lila viziton zonat e prekura nga vërshimet në Gjakovë...
Rama ndan pamjet nga Durrësi: Mjekët dhe ekipet shëndetësore...
Shkarkohet gjenerali që e drejtonte mbrojtjen e Maduros
Superkupa e Spanjës pa vazhdime, penalltitë mund të jenë ven...