Krasniqi për videon e VV-së: Kjo është fytyra e Kurtit, pse s’guxon të flas për Martin Berishajn

22:05 | 25 Janar 2023

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar videon e VV-së, ku u akuzuan liderët e partive opozitare. Ai për asnjë moment nuk e shikoi videon e cila ishte duke u transmetuar. Krasniqi tha se nuk ja vlen të shikohet, sic e quajti, ky film propagandistik.

Krasniqi në ‘Pressing’ tha se kjo është fytyra e vërtetë e Albin Kurtit.

“Nuk ja vlen me këqyr kësi filma propagandistik. Këto metodat e luftës speciale këta i njohin mirë. Në esencën e tyre edhe kryeministri edhe vija e afërt e tij janë bolshevikë në ideologji dhe idenë e luftës speciale dhe demotizimit të kundërshtarëve e kanë të internalizume në ligjërimin e tyre dhe në veprimin e tyre politik.

Asnjë vend normal në Evropë në perëndim, nuk mundemi me gjet, kur dikush është në qeveri 2 vjet dhe nuk ka mundësi me bo një video që tregon se çka janë të arriturat e dy viteve. Kjo është fytyra e VV-së, fytyra e Kurtit, ky është njeri që i kanë besu 50 për qind të shqiptarëve të Kosovës, dhe që dy vjet nuk është në gjendje një punë me kry për njerëzit që e kanë votu”, tha Krasniqi.

Madje ai shtroi pyetjen se pse Kurti nuk guxon të thotë asnjë fjalë për Martin Berishajn, përveç që thotë se thur lavde për të.

“Pse Kurti nuk guxon me dalë me thonë një fjalë për Martin Berishajn, përveç me mbështet, me mbrojtë me lavdu, cilat janë arsyet që ai nuk guxon me dalë me adresu raportimet ndërkombëtare që thojnë paret të cilat i ka marrë cash Martin Berishaj, janë përdor për fushatën e VV-së. Pse nuk dalin me qesi video çka ka, çka s’ka”, ka thënë Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale