KFOR: Transformimi i ushtrisë të bëhet përmes Kushtetutës së vendit

20:48 | 7 Korrik 2018

Gjatë kohës sa ishte në opozitë kishte premtuar se ushtria e Kosovës do të bëhet brenda 90 ditë pune, por as pas ardhjes në Qeveri kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj një qëllim të tillë nuk e ka arritur as pas nëntë muajsh qeverisje, shkruan “Zëri.info”.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës i takon plotësisht shtetit të Kosovës, porse duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“FSK-ja ka demonstruar që janë në gjendje të kryejnë operacione të reagimit ndaj krizave dhe të operacioneve të mbrojtjes civile dhe t’i ndihmojnë autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore dhe të emergjencave të tjera në favor të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhen në përgjigjen e NATO-s.

Mirëpo sipas tyre, procesi i transformimit merr kohë dhe nuk është çështje që mund të mbarojë vetëm me miratimin e Projektligjit për Ushtrinë.

“Sidoqoftë, një proces i gjatë është i nevojshëm për të ndryshuar aftësinë e tyre aktuale për t’u bërë një ushtri. Është diçka që nuk mund të realizohet brenda një dite, ose vetëm duke miratuar një projektligj dhe në çdo rast do të duhet shumë vite për të formuar një ushtri. Ushtria nuk është vetëm një çështje e marrjes së vendimit të transformimit, por kjo nënkupton marrjen e pajisjeve dhe të aftësive të tyre të mirëmbajtjes, rekrutimin e më shumë të personelit, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe të trajnimit, ndërtimin e infrastrukturës së re, etj”, ka thënë ai.

Ndërkohë të pyetur për mënyrën se si duhet të bëhet ky transformim, Grasso ka thënë që e vetmja mënyrë është në koordinim me Kushtetutën e vendit.

“Pozita e NATO-s është e qartë, nuk është çështje e mbështetjes së transformimit që është një vendim i cili duhet të merret nga institucionet në Kosovë. Megjithatë, çdo transformim i FSK-së duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, që do të thotë se do të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe duhet të dakordohen nga të gjitha partitë, duke përfshirë pakicat”, ka theksuar ai. /Zëri/

Lajmet më të lexuara