Këto janë të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

14:31 | 23 Nëntor 2022

Në rend të ditës kemi dy projektligje të cilat janë tejet të nevojshme. Pas një pune të gjatë dhe të kujdesshme, po sjellim për miratim Projektligjin për Zyrtarët Publik dhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik. I pari e vendos në qendër zyrtarin publik dhe e bën administratën e qasshme për të gjithë, brenda dhe jashtë sistemit, përfshirë dhe pjesëtarët e mërgatës. Ndërkaq, i dyti për herë të parë krijon sistem të unifikuar të pagave dhe sjellë barazi në pagë te të punësuarit në sektorin publik.

Të domosdoshëm për njëri-tjetrin, këto dy projektligje janë të domosdoshme për reformën në administratën publike. E kjo reformë është pjesë thelbësore e programit Qeverisës, sepse është domosdoshmëri e shtetit dhe e shoqërisë sonë. Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, do të flasim më gjerësisht për to në konferencën për medie pas mbledhjes.

Të premten që shkoi u ftova nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell, për një takim të organizuar në Selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, të nivelit të lartë me Presidentin e Serbisë. Ftesa e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafe që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund.

Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim, me urgjencë, në “Propozimin e Bashkimit Evropian”, të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve.

Në paragrafin e tretë teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit të vitit 2023.

Natyrisht, këtë propozim të z.Borrel unë e kam mirëpritur dhe tashmë ishim deklaruar që “Propozimi Franko-Gjerman”, të cilin z.Borrel insistonte në takimin në Paris më 11 nëntor që tash e tutja ta quanim “Propozim të Bashkimit Evropian”, paraqet një bazë të mirë për diskutim.

Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave së bashku me çështjen e garancioneve për komunitetin serb, të cilët do të diskutoheshin në “Propozimin e Bashkimit Evropian”, pra në marrëveshjen për normalizim dhe gjatë tetë orëve i zhvilluam gjashtë takime, tri takime bilaterale e tri trilaterale.

Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve të Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë, në versionin inicial. Ne ishim të pajtimit që, për t’i dhënë hapësirë bisedimeve për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, mirëpo natyrisht atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari makina me targa ilegale, sepse nuk ka kuptim të mos vazhdohet faza e dytë, të kalohet nga vërejtjet e qortimet te gjobat, të mos ekzekutohen gjobat, e në anën tjetër të vazhdohen të lëshohen targat KM, PR, GL, PE, UR, e kështu me radhë. Ky propozim u pranua dhe besoj që ishte një e arritur e rëndësishme e takimit.

Më lejoni të them, që komuniteti serb në Kosovë është komuniteti më i mbrojtur e më i priveligjuar në Kushtetutë të Republikës dhe kjo është rezultat i marrëveshjes gjithëpërfshirëse të ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisarin, i cili ishte udhëheqës i ekipit ndërkombëtar- ndërmjetës. Të drejtat për pakica në Kushtetutën e Kosovës nuk i gjen në atë të Serbisë, por nuk i gjejmë as në shumë e shumë vende të tjera anë e mbanë botës, përfshirë këtu edhe kushtetuat në vendet më të avancuara të Bashkimit Evropian.

Tash pas takimit që patëm atje, i cili pra gjithsej në këto bisedime zgjati tetë orë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit të ditës së hënë; në kundërshtim me parimin e propozuar nga vet ai, filloi të insistojë në një marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, por për targat.

Më datën 18 gusht në takimin që kemi pasur ishin dy pika të rendit të ditës. Pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes; pika e dytë çështjet aktuale. Edhe unë e mbështeta këtë strukturë të takimeve, sepse liderët shtetëror thirren për të bërë marrëveshjen e madhe e finale. Po e ri përsëris, unë nuk jam as nuk as polic, as komandant stacioni, as shef kadastri, as zyrtar dogane, që të merrem me gjithfarë çështjesh teknike, të cilët dalin përgjatë bisedimeve. Ne jemi shtet me institucione dhe organe përkatëse, të cilat kanë shumë profesionistë të zotë, që i zhvillojnë këso lloj bisedimesh. Unë shkoj atje për marrëveshjen finale ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Ky duhet të jetë qëllimi dhe ky është kuptimi.

Ndërkaq, autorët e “Propozimit të Bashkimit Evropian” e braktisën propozimin e tyre, prandaj edhe takimi përfundoi. Sikurse në takimin e 18 gushtit edhe në këtë takim unë isha i fundit që e lëshova ndërtesën e Bashkimit Evropian. Sepse gjithmonë ekziston mundësia edhe për një përpjekje të fundit dhe më duhet t’ju njoftoj se ka qenë edhe përpjekja e fundit. Emisari special Lajçak ka ardhur tek dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe e bëri edhe një përpjekje të fundit për një tekst, i cili do ta përfshinte edhe propozimin e Bashkimit Evropian. Mirëpo, më pastaj na njoftoi që, Presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë. Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian tashmë ndodhej në konferencë për medie.

Pra, tek ne ekziston edhe qëllimi edhe qëndrimi edhe arsyet edhe argumentet për të arritur marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, por ky duhet të jetë edhe qëllimi i ndërmjetësve.

Vendimi ynë për targat nuk mund të jetë objekt i negocimit, është vendim i Qeverisë sonë.

Ajo çfarë kemi treguar ne është zemërgjerësinë tonë, që t’i japim shansë jo vetëm ligjshmërisë edhe kushtetutshmërisë, por edhe brengave të atyre për mundësitë e cenimit të paqes e të sigurisë, duke diferencuar qasjen e duke sekuencuar implementimin.

Tri javë të para qortime, vërejtje. Po i afrohemi numrit të 2000 qortimeve dhe vërejtjeve, asnjë incident, asnjë ankesë. Dhe dy muaj pastaj gjobitje. Jo konfiskim të targave, por gjobitje, sepse këtë e parasheh edhe ligji. Pra, ne nuk e negociojmë vendimin. Ne e kemi treguar zemërgjerësinë tonë sa i përket mënyrës dhe kohës së implementimit.

Dhe, shtrohet pyetja, pse e kemi sjellë ne këtë vendim, së pari me datën 28 qershor. Kjo ka ndodhur meqenëse gjashtë muaj është negociuar për targat në Bruksel, prej shtatorit të vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, gjashtë muaj ditë është negociuar për targat në Bruksel dhe në fund kanë qenë tetë opsione. Tetë opsione kanë qenë, prej këtyre tetë opsioneve, tash po ua them midis neve, tri kanë qenë më të përshtatshme për neve, pesë jo, por Serbia s’e ka pranuar asnjë. I ka refuzuar të gjitha tetë opsionet.

Ne luteshim që të mos vinte puna te ato pesë, ndoshta vjen te këto tri, por s’u bë asnjë, sepse i refuzuan të gjitha dhe ne nuk e morëm vendimin në prill, kur i kanë refuzuar tetë opsionet, nuk e morëm as në maj, e morëm në fund të qershorit.

Vendimi ynë vjen dy muaj pas dështimit të negociatave gjashtëmujore me fajin e Serbisë, e cila i ka refuzuar të gjitha tetë opsionet në tavolinë për targat.

Pra, e kuptoni çfarë zemërgjerësie të Qeverisë së Kosovës ka përgjatë këtij viti, por edhe në vitin që shkoi.

Ne nuk kënaqemi teksa gjobisim. As një polic i Republikës së Kosovës nuk gëzohet teksa gjobit. Nuk është dëshirë gjobitja, është detyrë. Jo dëshirë e individit, qoftë ai zyrtar shtetëror, por obligim e detyrë sipas ligjit të shtetit tonë.

Njësoj, siç këto janë çështje të sundimit të ligjit në vendin tonë, nuk mund të jenë dorëheqjet e kthimet e zyrtarëve publikë e shtetërorë çështje të pazareve, sepse që të gjitha janë të rregulluara me ligj. Ju e patë, që deputetët e Listës Serbe dolën nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të tjerë prej tyre u kthyen dhe bënë betimin. Kjo është mënyra se si kthehesh në institucione, duke bërë betimin, duke respektuar Kushtetutën, kushtetutshmërinë, ligjin, ligjshmërinë, rregullat, procedurat.

Pra, nuk jemi një shtet diktatorial, që vendos se kush kur shkon e kush kur kthehet. Shteti ynë ka Kushtetutë, ligj, procedura, organe, institucione, të cilët e mundësojnë atë gjë.

Takimi i nivelit të lartë duhet të jetë për qëllime të larta dhe unë natyrisht që pres se kjo do të vazhdojë. Sot në Bruksel ndodhet Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Dialog dhe Zhvillim, Besnik Bislimi. Mbase do të ketë edhe një takim në përpjekje, që brenda këtyre 48 orëve të arrihet dakordimi. Ne e kemi edhe vullnetin edhe qëllimin e mirë dhe gatishmërinë e vazhdueshme.

E kam thënë dhjetëra herë se Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian është fati ynë. Gjysma e kombit tonë jeton në vendet e Bashkimit Evropian. Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm bashkim në familjen evropiane, por bashkim edhe i familjeve tona.

Nuk kemi as hatërmbetje e as inate. Nuk veprojmë, nuk flasim, nuk mendojmë e as nuk sillemi me cinizëm as me ironi, por me të vërtetën dhe në të drejtën tonë.

Jemi vendi më demokratik i Ballkanit Perëndimor, që përqafon e promovon vlerat më të larta e më bazike të Bashkimit Evropian dhe nuk mund ta gjeni dikë, i cili nuk e konstaton këtë për Republikën e Kosovës.

Sa i përket sundimit të ligjit, sipas World Justice Project, hera e dytë sivjet që Kosova është e para në Ballkan dhe sivjet është e dyta në botë sa i përket përmirësimit të sundimit të ligjit. Janë tetë kritere se si janë vlerësuar shtetet. Prej këtyre tetë kritereve, në shtatë prej tyre Kosova është para Serbisë. Në vetëm në njërin prej tetë kritereve, Serbia është para Kosovës. Pra, ne jemi vend para Serbisë sa i përket sundimit të ligjit. S’ka dyshim që jemi edhe para Serbisë sa i përket demokracisë e unë jam i bindur që jemi para Serbisë edhe sa i përket pavarësisë. Shteti ynë, institucionet tona janë shumë më të pavarura se sa ato të Serbisë, për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë.

Në dialog, jemi pala më aktive, kreative e konstruktive. E njëjta nuk mund të thuhet për palën tjetër, e cila kërcënon me dhunë dhe mbahet me aukraci.

Ndaj Bashkimit Evropian, si në të kaluarën, si sot, shpesh kam qenë kritik e jam kritik, por po e ritheksoj asnjëherë i hidhëruar. Në këtë drejtim, është edhe deklarata ime në Bruksel këtë të hënë. Kritik ndaj Përfaqësuesit të Lartë dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian, të cilët e braktisën propozimin e Bashkimit Evropian.

Unë jam çdoherë i gatshëm që t’i përgjigjem ftesës për takime, që për temë kanë marrëveshjen finale, ndërkombëtarisht e ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër.