Këshilli i Prindërve apelon te Qeveria që të mos mbyllen shkollat

16:17 | 5 Prill 2021

Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër masave të cilat pritet të merren sot në Qeverinë e Kosovës.

Përmes një komunikate për media, nga ky Këshill kanë deklaruar se arsimi parauniversitar nuk duhet të mbyllet.

Sipas tyre, numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar është tepër simbolik dhe nuk ndikon në rritjen e numrit të të infektuarve në nivel vendi.

“Mësimi online është i dështuar dhe nuk e di pse do të aplikohet. Mësimi online angazhon prindërit si mësimdhënës dhe ky është thelbi i dështimit sepse prindi nuk mund ta zëvendësojë mësimdhënësin. Duhet të mbahet mësimi fizik edhe për një kohë nëse duam qe të mos dështojë viti mësimor”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka apeluar tek Qeveria që të mos mbyllen shkollat dhe të mundësohet mësimi me prani fizike në shkollë duke përcjellë me kujdes të shtuar situatën e mbajtjes së mësimit fizik në shkolla.

“Nëse kërkojnë rrethanat me u mbyllë shkollat, ulemi bashkë që të konsultohemi për të marrë vendim dhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq masat të cilat planifikohen për sektorin e arsimit janë:

16. Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

17. Përjashtim nga pika 16, bën mbarëvajtja e provimeve të cilat mund të mbahen fizikisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona.

18. Konviktet dhe menzat pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill 2021.

19. Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskurzionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

Lajmet më të lexuara